Arrestimi i ish-zyrtares Alda Klosi, në shtëpinë e së cilës u vodhën 120 mijë euro, ka risjellë edhe njëherë në vëmendje ngjarjen e bujshme. Klosi u vu në pranga mbrëmjen e djeshme me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sakaq, ditën e sotme është bërë publike në media edhe dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi, e cila ndodhet në qeli, së bashku me djalin e saj, nën akuzën e vjedhjes. Dobi ka deklaruar se ka bashkëpunuar me ish-zyrtaren për të inskenuar grabitjen e bujshme. Sipas saj, Klosi kishte si qëllim të fajësonte bashkëshortin e saj, pasi kishte probleme me të.
Mësohet se ish-zyrtarja Alda Klosi i ka mohuar akuzat dhe nuk ka pranuar bashkëpunimin me Dobin.
Policia dyshon se Rozeta Dobi mund të ketë dhënë një deklaratë të tillë për të shpëtuar të birin, Havier Dobin nga dënimi. Nga ana tjetër, me dyshim shihet edhe deklarata e Klosit.