Foto/ Ishte kthyer në “makth” për qytetarët, ja si u kap hajduti që “tmerroi” Sarandën me vjedhjet

45-vjeçari Ben Sula ra sot në prangat e policisë, nën akuzë për një sërë vjedhjesh të kryera në qytetin e Sarandës, në dhomat e hoteleve dhe banesat ku qëndron pushuesit.

Prej dy muajsh ai ishte kthyer në makthin e shumë banorëve të lagjes nr.1 të qytetit bregdetar, kryesisht të zonës Turizëm – Kanali i Cukës.

45-vjeçari nga Rrogozhina kryente vjedhjet kryesisht në ambiente ku qëndronin turistët, ku pasi vrojtonte dritare apo ballkone të hapura, menjëherë kacavirrej e hynte brenda duke mos pyetur për lartësi, deri sa arrinte qëllimin përfundimtar. Ai dyshohet për 22 vjedhje, nga këto 19 të pohuara nga ai vetë.

Ai ka arritur të marrë deri në 1.5 mln lekë të reja në vetëm një banesë, ndërkohë që llogaritet që nga paratë cash dhe bizhuteritë e sendet me vlerë të vjedhura gjatë këtij sezoni dhe atij të kaluar, të ketë përfituar rreth 50 mijë euro. Në disa raste, teksa ka gjetur banorët në gjumë, u ka hedhur atyre sprai me piper për të mos pasur mundësi reagimi edhe nëse zgjoheshin, por që në shumicën e rasteve, sipas policisë, ka hyrë e ka dalë pa u vënë re nga askush, edhe pse mund të ketë kaluar para këmbëve të të paktën 5 personave që po flinin.

Pas shumë denoncimeve, gjatë dy muajve policia nuk kishte asnjë emër për autorin, vetëm imazhin e tij në video teksa ecte në ngushticat e lagjes nr.1 apo në bulevardin e qytetit. Në shumicën e videove, ai mbante të njëjtën veshjeje, bluzë e pantallona me mëngë të shkurtra e sandale. Policia iu vu në ndjekje, dhe kështu arriti që ta kapt “mat”, teksa ai po përpiqej të kryente vjedhjen e radhës.

Sula u justifikua para uniformave blu se kishte borxhe, dhe për këtë arsye detyrohej të vidhte për të gjetur paratë.

“Kisha borxhe, isha i detyruar. Vidhja dhe ikja në Rrogozhinë, paguaja borxhet dhe kthehesha sërish”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *