Vijojnë kërkimet për kapjen e Kristjan Mëhillin, 27-vjeçarin shqiptar i cili u arratis nga burgu i Vercellit, në Itali në natën e Vitit të Ri. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Sindikatës së Policisë së Burgjeve të Sapës, Donato Capece, arratisja e tij ishte paralajmëruar.
‘Prej disa kohësh siguria e brendshme e burgjeve është asgjësuar nga masa, si survejimi dinamik dhe regjimi i hapur, largimi i rojeve të Policisë së Burgjeve nga muret e burgut, mungesa e stafit të policëve të burgjeve, mungesa e të cilëve bëri që të ndodhte kjo arratisje’- tha ai, shkruan Fan Page.
I riu ka sharruar hekurat e qelisë dhe ka zbritur me çarçafë nga kati i katërt i burgut në natën kur vëmendja edhe e gardianëve ka qenë tek festa e Vitit të Ri.
Ajo që bie në sy në raportimet e mediave italiane është se e konsiderojnë shqiptarin si “të rrezikshëm dhe pa skrupuj”.
Në maj 2019 Mëhilli u arrestua nga karabinierët e Casale Monferrato, së bashku me tre bashkatdhetarë të tjerë. Ai ishte pjesë e bandës që kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli dhe duhet të vuante dënimin në burgun e Vercelli deri në vitin 2029.
/Priza.al/