Dan Hutra ishte nisur për të vrarë edhe personin e katërt, shtetasin Rrahman Sela.
Sipas asaj që mësohet të ketë thënë vetë Hutra, vrasjen e Selës do e kryente në shenjë hakmarrje. Ai e fajësonte se kishte ndikuar në vdekjen e babait të tij në vitin 1999. Hutra e ka akuzuar Selën se i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait të tij para 23 vitesh.
Gjatë një interviste, Rrahman Sela, i acaruar ka deklaruar se “nuk ka asnjë lidhje me të” duke iu referuar kështu Dan Hutrës.
Vrasësi serial e njihte mirë zonën pasi në Vaqarr ka një banesë ku për disa kohë jetonte nëna e tij, e larguar nga aty së fundmi.
Kur policia e ndaloi Dan Hutrën, raportohet se ai nuk ka bërë rezistencë. Madje duke ju drejtuar këtyre të fundit me fjalët “nuk kam asgjë me ju, por më lini të vras edhe një sot, Rrahman Selën dhe ta mbyll”.
Hutra kishte qenë në pritje për të hyrë në banesën e Rahmanit me qëllim vrasjen e tij. Plani i tij kishte dështuar, pasi Hutra nuk ka mundur ta gjejë saktë banesën.
Dan Hutra më pas ka zbritur nga kodra e Sharrës për të hyrë në një zonë të banuar dhe aty i është drejtuar një dyqani lagjeje ku ka blerë një kroasan, ujë dhe dy paketa cigare. Aty është shfaqur tepër i qetë duke përshëndetur dy persona që ndodheshin në dyqan. Në largim ai i është drejtuar me fjalët “unë ju vras edhe juve, por kam ardhur për tjetër njeri”.
“Çfarë e zbuloi autorin nga ana e tij, çfarë nuk mendoi ai saktë në këtë plan të mirëmenduar që ai bëri? Logjistikën, nëse ai do të kishte ushqime të blera që më përpara që ti mbante në makinë, nuk do të kishte nevojë të kontaktonte me një dyqan për ti siguruar ato. Kështu që ndjekja e tij do të ishte e gjatë, e dyta bashkëpunimi, deri tani ai ka vepruar si një ujk i vetmuar, nëse do të kishte strehues kjo do të ishte një ngjarje shumë e vështirë për tu zbulua”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço./TCH