Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka bërë të ditur se një mësuese 40-vjeçare ka humbur jetën nga COVID-19 në Elbasan. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ajo shpreh hidhërimin e saj për ndarjen nga jeta të mësueses Blerina Lamçja.
Ndër të tjera ajo bën dhe një herë thirrje për të mos neglizhuar vaksinimin, si mënyra më e mirë për të shmangur sa më shumë rrezikun e këtij virusi.
STATUSI I PLOTË I MINISTRES EVIS KUSHI
Të dashur miq,
Jam shumë e hidhëruar për ndarjen nga jeta të mësueses Blerina Lamçja (Hoxholli) në shkollën speciale “Zëra Jete” në Elbasan. Blerina e humbi betejën me Covid-19 në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas trishtim jo vetëm tek familja e saj, kolegët dhe miqtë që e kanë njohur nga afër, por edhe nxënësit e shkollës, për të cilët Blerina punonte me aq shumë përkushtim e dashuri.
Ky lajm duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve që rreziku nga virusi është ende mes nesh, prandaj shërben si një apel i fortë që të mos i neglizhojmë për asnjë moment vaksinimin dhe respektimin e protokolleve shëndetësore.