Policia italiane ka arrestuar 29-vjeçarin nga Peqini, Endri Blliku i cili ishte shpallur në kërkim nga interpoli i Francës pasi akuzohej për terrorizëm. Blliku i ka ndërruar disa herë gjeneralitetet dhe akuzohet si bashkëautor i ngjarjes të ndodhur në vitin 2016, ku Mohamed Lahouaiej Bouhlel, duke ngarë një kamion 19-tonësh, e ka drejtuar atë përmes turmës së njerëzve që po ecnin rrugës së bulevardit ku po zhvilloheshin festimet e pavarësisë së Francës, duke shkaktuar vdekjen e 86 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Gjatë kontrollit në kamion janë gjetur armë dhe municione. Shtetasi Endri Elezi dyshohet si personi që ka furnizuar me armë autorin e sulmit.
Njoftimi:
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e një personi të shpallur në kërkim për terrorizëm.
Operacioni i koduar “Promenade”, me pjesëmarrjen e Antiterrorit dhe Interpolit të Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe asaj franceze.
Lokalizohet nga agjentët e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, kapet dhe arrestohet në Itali 29-vjaçari nga Peqini.
Pas një pune të gjatë policore dhe hetimore, duke koordinuar informacionet mes Policisë shqiptare, franceze dhe asaj italiane, konkretisht mes shërbimeve të Antiterrorit dhe të zyrave të Interpolit të këtyre vendeve, është bërë e mundur që në Caserta, Itali, të kapet dhe të arrestohet shtetasi në kërkim ndërkombëtar Endri Blliku (Elezi), 29 vjeç, lindur dhe banues në Peqin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze si bashkautor i sulmit terrorist të ndodhur në datën 14.07.2016, në bulevardin “Promenade des Anglais”, Nice, Francë, ku një person i identifikuar si Mohamed Lahouaiej Bouhlel, duke ngarë një kamion 19-tonësh, e ka drejtuar atë përmes turmës së njerëzve që po ecnin rrugës së bulevardit ku po zhvilloheshin festimet e pavarësisë së Francës, duke shkaktuar vdekjen e 86 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Gjatë kontrollit në kamion janë gjetur armë dhe municione. Shtetasi Endri Elezi dyshohet si personi që ka furnizuar me armë autorin e sulmit.
Autoritetet franceze kanë bërë shpalljen në kërkim të këtij personi dhe njëkohësisht ka filluar shkëmbimi i informacionit me autoritetet shqiptare, të cilat nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan kanë nisur një hetim penal lidhur me këtë rast.
Pas një pune disamujore, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit duke koordinuar punën mes Policisë shqiptare, franceze dhe atë italiane, u bë i mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i këtij shtetasi, në Caserta, Itali.
Endri Blliku, me qëllim fshehjen dhe shmangien nga kapja, ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet e tij nga Endri Elezi në Juxhino Elezi, Xhino Elezi dhe përfundimisht në Endri Blliku.
Endri Blliku (Elezi), i akuzuar nga autoritetet franceze për “Pjesëmarrje në grup kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, “Mbajtja pa leje e materialeve ushtarake”, aktualisht i arrestuar në Itali, është në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Francës.
Policia e Shtetit përditë e më shumë po rrit besueshmërinë tek partnerët e saj, duke treguar profesionalizëm dhe vendosmëri në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.