Është vënë në pranga një shtetas në kërkim kombëtar nga policia e Tiranës pas operacionit të koduar “Eagle” , ku është kapur në flagrancë L.S. (A), 27-vjeç banues në Lushnjë.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Eagle”.
Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën “Lord Bajron”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. S. (A), 27 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Vrasja” kryer në bashkëpunim, pasi në bashkëpunim me shtetasin K. B., 26 vjeç, banues në Lushnjë (i arrestuar më parë), në Korçë, më datë 13.06.2021, kanë goditur me sende të forta në kokë shtetasin F. Xh., duke i shkaktuar atij vdekjen.
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar urdhër ndalimi për 27-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.