Ishulli Barbados i Karaibeve do të bëhet të martën republika më e re e botës, duke i dhënë fund lidhjeve mbretërore me Britaninë e Madhe dhe duke hequr mbretëreshën Elizabeth si kryetare shteti.
Lëvizja, e debatuar për vite me radhë, mori vrull mes lëvizjes Black Lives Matter në Shtetet e Bashkuara dhe kërkesave në rritje për dëmshpërblime për skllavërinë në ishull. Kryeministrja Mia Mottley njoftoi vitin e kaluar se kombi prej 300,000 banorësh do të bëhej republikë në 55 vjetorin e pavarësisë së tij. Kjo do të thotë heqja e mbretëreshës Elizabeth II si kreu i shtetit, një shkëputje nga historia gati katër shekullore në ish-koloninë britanike.
Festimet në ish-koloninë britanike që fitoi pavarësinë në vitin 1966 kanë nisur. Guvernatorja e përgjithshme e vendit, Sandra Mason do të betohet si presidentja e parë e ishullit-shtet, që së fundmi po kalon nën ndikimin e Kinës, që ka premtuar investime në infrastrukturë.
Ceremonia e betimit të ish-juristes 73-vjeçare do të mbahet të hënën mbrëma. I pranishëm në festime do të jetë Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik dhe kreu i ardhshëm i Commonwealth, shoqata e përbërë pothuajse tërësisht nga ish territoret e Perandorisë Britanike.
Barbados, ishulli më lindor i Karaibeve, i njohur për kriket, rumin dhe yllin ndërkombëtar të popit Rihanna.
Lëvizja nga monarkia kushtetuese në republikë gëzon mbështetje të gjerë në ishull. Mason u zgjodh president muajin e kaluar me dy të tretat e votave të të dy dhomave të Parlamentit. Por kundërshtarët politikë të Mottley-t kanë vënë në pikëpyetje kohën e saj dhe refuzimin e saj për t’i vendosur votuesit në një referendum kombëtar. Ata gjithashtu duan të dinë më shumë për planet e saj për një kushtetutë të re.
/Burimi: The Washington Post/ Përshtati: Priza.al/