Një e re shqiptare është arrestuar nga policia italiane për shpërndarje droge pasi u kap me 18 doza kokaine dhe ditën e djeshme ka dalë para gjyqtarit.
Kur seanca mbaroi, dje në mëngjes ajo u largua nga salla e gjyqit të Pesaros duke fshirë lotët. Dhe me gjyqtarin, por edhe me policinë, ajo bashkëpunoi, pasi pranoi përgjegjësitë.
A.G. 29 vjeçe, shqiptare, flokë të zeza, e veshur e tëra në të zeza, shtat i vogël, tipare të lezetshme që policia tashmë i njihte mirë, rezidente në rrethinat e Romagna-s. Tani ajo rezultonte e papunë, puna e fundit që bëri ishte ajo e kamerieres. Policët e njohin sepse ajo kishte qenë e lidhur me një tjetër shqiptar, të arrestuar për drogë nga Skuadra e Pesaros në vitin 2017.
Kështu, kur kuptuan se 29-vjeçarja kishte ardhur disa herë në Pesaro kohët e fundit, vendosën të fusnin targën e makinës së saj në sistemin e kontrollit të lidhur me kamerat në hyrje të qytetit për të kuptuar se kur do të rishfaqej. Dhe me përpikëri, makina e saj e vogël “Renault” mbërriti të premten në mbrëmje, rreth orës 19:00, në lartësinë e Cattabrighe. Këtu e ndaluan agjentët e Antidrogës.
Nga kontrolli u zbuluan 18 pako kokainë të fshehura brenda çantës. Kokaina do të shitej me pakicë për rreth 80 euro për gram. Gruaja nuk ka bërë rezistencë dhe është arrestuar. Më pas ajo ka pranuar fajin. Gjyqtari, pasi vërtetoi arrestimin dhe konstatoi qëndrimin e saj bashkëpunues, e la të lirë, por i vendosi ndalimin e qëndrimit në rajonin e Marches dhe shtyu gjykimin për 3 shkurtin e ardhshëm.