Sa më pak gabime, mos rënia në sy për të keq, krijimi i një imazhi pozitiv – këto ishin lajtmotivet e kryeministres së re italiane Giorgia Meloni në 100 ditët e para të qeverisjes. Ose siç shprehet politologia nga Bolonja, Sofia Ventura: “Ishin njëqind ditët e para disi pa ngjyrë”. Deri më tani, thotë Ventura, Meloni nuk ka dhënë “iniciativa vërtet relevante”. Faza e parë u karakterizua nga shqetësimi i kryeministres për t’u paraqitur ndërkombëtarisht si një kryetare e besueshme e qeverisë. Dhe kështu për t’u ofruar kritikëve të tyre pak hapësirë për të sulmuar.
Para zgjedhjeve të shtatorit, revista “Stern” nën një fotografi me Melonin vinte titullin: “Gruaja më e rrezikshme në Europë”. Përhapja e frikës duket se është e rëndësishme për 46-vjeçaren. Kryetarja e parë e qeverisë europiane, e cila e ka nisur karrierën e saj politike në një parti neofashiste, nuk ka devijuar nga parimet e saj politike.
Toni familjar
Por Meloni përpiqet të paraqitet me një ton më të butë. “Giorgia” shkruan në kopertinën e fletores së saj sikur të ishte një gocë e re. Meloni thotë se nuk e ka problem fare që njerëzve t’ua “shpjegojë vendimet e saj”. Për këtë arsye vendosi të hapë fletoren e saj dhe të flasë për punën e qeverisë në 100 ditëshin e parë të qeverisjes. Pavarësisht gjesteve të tilla, politologia Ventura thotë: Askush nuk duhet të harrojë se nga cili krah politik vjen Meloni. Është shumë herët për ta gjykuar atë si kryetare të qeverisë. Edhe më tej duhet të thuhet se: “Giorgia Meloni nuk ka kulturë liberale, dhe për këtë nuk ka asnjë fije dyshimi.”
Mungesa e kompetencës
Ajo që shqetëson edhe më shumë është se qeverisë së saj i mungon “kompetenca dhe një projekt për rimëkëmbjen e vendit”, thotë Ventura. Sipas profesores nga Bolonja, edhe perspektiva e reformës kushtetuese është shkak për shqetësim, sepse po e ndryshon vendin. Meloni ka deklaruar se dëshiron ta bëjë Italinë një republikë presidenciale dhe të bashkojë më shumë pushtet politik në një dorë. Është një projekt i vjetër shumë i preferuar i së djathtës italiane.
Meloni po heq gradualisht ndihmat sociale, ndërsa kur bëhet fjalë për politikën e migracionit, qeveria e saj po vështirëson përmes dekreteve punën e shpëtimit të refugjatëve nga organizatat joqeveritare në Mesdhe. Profesori i njohur Michele Prospero thotë se edhe më e keqe se vetë vendimet janë përpjekjet e qeverisë për ndryshimin e kulturës politike. Për shembull, kur Meloni tani si kryeministre mbron tezën se partia e saj neofashiste, MSI, ishte një shtyllë e demokracisë italiane. Ose kur ajo e bën një burrë që me krenari mban statujën e Musolinit në dhomën e ndenjjes, president të Senaitit – Ignazio La Russa. Sipas Prosperos, këto janë mesazhe politike që sinjalizojnë: “Tradita nuk do të mohohet”./DW