Gjashtë persona janë arrestuar në Itali, të gjithë me origjinë shqiptare të moshës 26-37 vjeç, përgjegjës për një sërë vjedhjesh të kryera në provincën e Cuneos. Ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë, 5 në burg dhe 1 në arrest shtëpie. Hetimet mbi këtë rast kanë nisur që nga janari i vitit të kaluar.
Mediat italiane raportojnë se aktiviteti i bandës ishte i fokusuar në thyerjen e makinerive të lojërave të fatit por edhe nëpër dyqane, palestra e magazina. Përveç anëtarëve të bandës, ushtarakët arrestuan edhe një shtetas të shtatë shqiptar, pa lidhje me aktivitetin e vjedhjes, por që iu gjetën rreth 2 kilogramë marijuanë, të dhëna nga të njëjtët anëtarë të grupit.
Për momentin anëtarët e bandës ndodhen të ndaluar në burgun e Astit, në dispozicion të organeve të drejtësisë.