Remitancat/ Emigrantët sjellin shifrën rekord të parave në Shqipëri, Italia dhe Britania të parat, ja ku renditen dërgesat nga Gjermania…

Janë mbi 1 miliardë euro transferta personale nga e gjithë bota që në vitin 2020 mbërritën në Shqipëri, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat.

Këtu përfshihen në pjesën më të madhe paratë që emigrantët dërgojnë në vendin mëmë, por edhe kompensimet e punonjësve.

Po cilat janë shtetet nga vjen fluksi më i madh i transfertave personale në vend? “Monitor” ka përpunuar të dhënat e Eurostat, sipas shteteve.

E para është Italia, shteti ku jetojnë dhe punojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë. Nga Italia kanë ardhur 260 milionë euro në formën e transfertave personale, ose 25% e totalit, duke qëndruar në nivele të njëjta me një vit më parë.

Në vend të dytë është Mbretëria e Bashkuar, që vitet e fundit është bërë e preferuar për shumë të rinj që më së shumti hyjnë në Britani në rrugë ilegale. Nga ky shtet, niveli i transfertave në 2020-n ishte 204 milionë euro, ose gati 20% e totalit.

Në vend të tretë është Greqia, ndonëse është nga shtetet ku jetojnë e punojnë më shumë emigrantë shqiptarë. Nga shteti fqinjë kanë ardhur 169 milionë euro ose rreth 16% e totalit. Për shkak të lidhjeve tokësore, nga Greqia një pjesë e madhe e transfertave vijnë në mënyrë informale dhe nuk regjistrohen në të dhënat e Eurostat.

Në vend të katërt është Gjermania, që është bërë së fundmi e preferuara për shumë individë që shkojnë të punojnë me kontratë në ekonominë më të madhe të Europës. Nga Gjermania janë dërguar 143 milionë euro, ose gati 14% e totalit, duke shënuar një nivel rekord. Në krahasim me vitin 2017, transfertat nga Gjermania drejt Shqipërisë janë rritur me rreth 43%.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u dërguan në 2020-n rreth 101 milionë euro, ose gati 10% e totalit.

E gjashta është Franca, një tretër destinacion i preferuar, sidomos nga azilkërkuesit për shkak të politikave të shumta sociale që ofron. Më 36.5 milionë euro, nga Franca erdhën 3.5% e totalit të transfertave në 2020-n.

Më pas renditen Zvicra (12.5 mln euro), Belgjika (11.8 mln euro), Kanada (10.9 mln euro), Austri 10.7 (mln euro), ndërsa nga shtetet e tjera vijnë më pak se 10 milionë euro në vit. (shiko grafikun).

Në total, Transfertat personale që rezidentët në vendet e Bashkimit Europian dhe në botë dërguan në Shqipëri në vitin 2020 shënuan një rekord prej 1.03 miliardë eurosh, sipas Eurostat.

Sipas përkufizimit të Eurostat, pjesa më e madhe e transfertave personale konsiston në fluksin e parave që dërgohen nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës.

Edhe pse ishte një vit pandemik, me kufizime të ndjeshme të udhëtimeve, në 2020-n u shënua niveli më i lartë i këtyre transfertave drejt Shqipërisë, që prej vitit 2013, kur Eurostat raporton të dhënat për vendin tonë. Sipas aktorëve shqiptarë të tregut, kjo tendencë lidhet edhe me faktin se për shkak të kufizimeve të udhëtimeve fizike, shumë janë detyruar që të përdorin kanale formale për të dërguar para tek të afërmit e tyre. Një tjetër falktor lidhet me ndihmën që fëmijët jashtë u dërguan prindërve apo të afërmëve të tjerë për të përballuar koston e shpenzimeve nga xhepi për kurimin nga Covid-19.

Në krahasim me vitin 2013, transfertat personale janë rritur me 33%.

Image

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *