Është dita e së vërtetës në politikën italiane pas fushatës zgjedhore të verës. Deri në orën 19:00 pjesëmarrja ishte 51.25%, më pak se zgjedhjet e vitit 2018. I pari që votoi mëngjesin e sotëm, nën duartrokitjet e të pranishmëve, ishte presidenti i republikës, Sergio Mattarella. Në votime, ishin edhe pjesëtarë të tjerë të politikës italiane si Letta, Salvini, Renzi dhe Calenda. Në Romë, në pritje të liderit të Fdi-së, kishte mjaft fotografë e gazetarë, kështu për të shmangur turmën, Giorgia Meloni vendos që të mbërrijë në qendrën e votimit vetëm në mbrëmje.
I pari që theu heshtjen mëngjesin e sotëm ishte kreu i Ligës, Silvio Berlusconi i cili u shpreh i sigurt për fitoren.
“Luaj për të fituar dhe jo për të marrë pjesë”. Berlusconi i shoqëruar nga Marta Fascina thotë se “kurrë nuk ka parë kaq shumë njerëz të rreshtohen për të votuar”.
Votimet janë të hapura që prej orës 7 të mëngjesit deri në 23:00 të mbrëmjes. Pothuajse 51 milionë italianë u thirrën në votime, 4.7 milionë jashtë, 51% janë gra dhe 2.6 milionë të rritur që do të votojnë për herë të parë në Senat. Sipas rezultateve deri në mesditë morën pjesë rreth 19% e votuesve. Sipas sondazheve, këto zgjedhje të përgjithshme të parakohshme mund të krijojnë qeverinë më të djathtë që ka pasur vendi që nga Lufta e Dytë Botërore, e udhëhequr nga kryeministrja e parë grua. Zgjedhjet e parakohshme u nxitën pasi mosmarrëveshjet e brendshme rrëzuan në korrik Qeverinë e Unitetit Kombëtar të ish-kryeministrit Mario Draghi. Votimet në Itali pritet që të zgjasin deri në orën 23:00. Pas kësaj ore do të dalin sondazhet dhe projeksionet e para për të dhënë një ide se kush do të fitojë.
Publikimi i sondazheve të opinionit është i ndaluar dy javë para votimit, por në sondazhet më parë printe udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, dhe partia e saj nacionaliste, Vëllezërit e Italisë. Koalicioni i qendrës së djathtë përfshinte gjithashtu partinë Liga Veriore të Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit. Liderja e partisë Vëllezërit e Italisë, Giorgia Meloni, do të ishte zgjidhja më e mundshme për postin e kryeministrit, si kryetare e partisë kryesore të koalicionit. Partia e saj ka pasur një rritje të mbështetjes elektorale pasi qëndroi jashtë Qeverisë së Draghit. Partia e Salvinit dhe ajo e Berlusconit ishin të dyja pjesë e Qeverisë dhe mbështetja ndaj tyre ka rënë. E djathta është ndihmuar edhe nga ndasitë e bllokut të së ashtuquajturës “qendra e majtë”, ku përpjekjet e Partisë kryesore Demokratike (PD) për të formuar një aleancë të gjerë elektorale, dështuan. Si rrjedhojë, tashmë janë tri grupe kryesore të qendrës ose të qendrës së majtë që luftojnë për vota – PD-ja dhe aleatët e saj; partia qendrore Veprimi dhe aleati i saj Italia Viva; dhe në fund Lëvizja 5 yjet. Sistemi zgjedhor i Italisë favorizon grupet që janë në gjendje të krijojnë aleanca të gjera, me gjasë duke favorizuar fitoren e bllokut të krahut të djathtë.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 23:00 sipas kohës lokale, prite të fillojë numërimi i votave, ndërsa rezultatet e para pritet të dalin mëngjesin e së hënës. Formimi i koalicioneve në Itali është një procedurë jashtëzakonisht e ngadaltë, por perspektiva e një rezultati më të qartë do të thotë se ka pak gjasa të përsëritet 2018-a, kur u deshën pothuajse tre muaj për të formuar koalicionin qeverisës. Parlamenti i ri do të mblidhet më 13 tetor. Pas kësaj date, presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, mund të fillojë konsultimet me drejtuesit e partive për të diskutuar për kabinetin e ri qeveritar.