Italia zgjat sërish afatin e mbajtjes mbyllur të kufijve për shqiptarët që duan të udhëtojnë drejt këtij vendi për turizëm apo qëllime jo-thelbësore, gjithçka si pjesë e kufizimeve të pandemisë.
Ministria e shëndetësisë la në fuqi deri më 31 Janar, rregullat aktuale të udhëtimit që e lenë Shqipërinë të renditur mes vendeve të kategorisë E, atë më të ulëtën.
Qytetarët nga këto vende mund të hyjnë vetëm me leje të posaçme si punë, arsimim, vizita shëndetësore ose të veçanta si dhe nëse janë rezidentë në këtë Itali apo shtetas të vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Mbetet në fuqi dëshmia negative e Covid-19 si dhe detyrimi i karantinës 10 ditore pas hyrjes në territorin italian.
Qarkullimi i Omicron detyroi qeverinë italiane të ashpërsojë rregullat edhe për hyrjen e shtetasve europianë. Deri në Mars, të pavaksinuarit do të detyrohen të paraqesin tamponin negativ dhe të qëndrojnë 5 ditë në karantinë pas hyrjes në këtë vend. Ndërsa të vaksinuarit paraqesin vetëm dëshminë e tamponit negativ. Vendim që ka irrituar vendet e tjera të unionit që i lejojnë italianët të hyjnë lirisht.
/Priza.al/