Në shtëpinë e familjes Hysa u hapën dyert e mortit. Mevlutja, motra e ish-bashkëshortes së 40-vjeçarit dhe Hasime Dafku, u përcollën për në banesën e fundit, ndërsa brenda oborrit të shtëpisë ku ndodhi ngjarja makabre ka ende shenja të krimit.
Edhe pse Dan Hutra u arrestua pas 6 orësh arrati, itinerari i tij për të kryer vrasjet jo vetëm që ka qenë i mirëmenduar në detaje, por dhe i kryer brenda një kohe të shkurtër.
Fillimisht, në rrugën “Teodor Keko”, pranë mbikalimit të “Astirit”, në orën 12:15 minuta të mesditës, ai ndaloi makinën e marrë me qira dhe goditi me thikë Marjana Gurakuqin, por nuk përfundoi me kaq.
Hyrja për në zonën e Kamzës edhe pse në më të shumtën e rasteve është e ngarkuar me trafik vrasësi arriti ta bëjë brenda pak minutave.
Nga zona e “Astirit” deri në Kodër Kamëz, në banesën e ish-bashkëshortes 40-vjeçarit i janë dashur 20 minuta dhe sapo ka mbërritur në rrugën Rustem Haklaj, ai i është drejtuar shtëpisë së familjes Hysa.
Të katërtat pjesëtare kanë qenë duke larë një automjet të një afërmi të tyre kur Dan Hutra u fut në brendësi të oborrit dhe pa paralajmërim qëlloi me breshëri automatiku. Nga të shtënat mbetën të vdekura në vend Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku.
Sapo kanë dëgjuar të shtënat, banorë të zonës kanë dalë menjëherë jashtë dhe kanë shkuar në ndihmë të viktimave. Ata i thane policisë se në një moment të shtënat ndaluan pasi vrasësi po i vendoste kallashit një karikator tjetër për të qëlluar sërish mbi ish-bashkëshorten dhe nënën e saj. Por sapo shumica e qytetarëve dolën nga banesat ai u largua.
Duke shfrytëzuar rrugicat, 13 minuta nga vrasja e dyfishtë, në orën 12:42 minuta Hutra mbërriti në rrugën Besëlidhja në Kamëz. Edhe pse nuk e njihte personalisht 31-vjeçaren Etleva Kurti, ai iu afrua portës dhe e pyeti atë nëse është motra e Vladimir Kurtit. Pohimi i saj mjaftoi që ai ta qëllojë me tre plumba duke i marrë jetën.
Pas tri ngjarjeve të ndodhura, në orën 13:40 minuta, një telefonatë në sallën operative njoftoi se në zonën e “Astirit” ishte plagosur një person. Telefonata erdhi kur tre jete të tjera ishin marrë nga plumbat e 40-vjeçarit, ndërsa ai lëvizte i lirë prej plot 60 minutash.
Shërbimet e policisë treguan dhe një herë se nuk u ngritën në kohë jo vetëm përmes postblloqeve, por edhe informacioneve se ku mund të lëvizte 40-vjeçari.
Arrestimi i tij ndodhi në zonën e Sharrës në afërsi të Landfillit në Tiranë rreth orës 18:45 minuta pra gati 6 orë që nga vrasja e 31-vjeçares Etleva Kurti. Pas identifikimit dhe njoftimit të policisë nga dy djem të rinj për vendndodhjen e vrasësit, 4 efektivë të patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 6 në Tiranë prangosën Hutrën, i cili kishte shkuar në zonë për të kryer vrasjen e katërt./A2 CNN