Policia e Krujës ka zbuluar një banesë, 2 ambiente që shërbenin për tharjen e kanabisin. Policia thekson se në këto 2 ambiente u gjet 58 kilogram kanabis, në proces tharje. Po ashtu u zbulua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme.
I riu do të akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Njoftimi i plotë:
Krujë/Zbulohen 2 ambiente të një banese, të përshtatura për përpunim dhe përgatitje për shitje të lëndës narkotike kanabis dhe të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Sekuestrohen 58.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe municion luftarak
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, operacioni policor i koduar “Fokusi”.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga pronari i banesës ku u gjet edhe municion luftarak.
Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në, Krujë, si dhe bazuar në inteligjencë informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fokusi”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi:
-V. S., 23 vjeç, banues në Derven, Krujë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë konstatuan 2 ambiente (dhomë dhe magazinë), të përshtatura për përpunimin, tharjen dhe përgatitjen për shitje të lëndës narkotike kanabis. Gjatë kontrolleve të imtësishme në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në total, 58.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, si dhe gjatë verifikimeve, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, u konstatua se këto ambiente furnizoheshin me energji elektrike përmes lidhjeve të paligjshme. Në vijim të operacionit, u ushtrua kontroll dhe në ambiente të tjera të kësaj banese dhe u gjet e u sekuestrua edhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të shtetasit V. S.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.