Një 56-vjeçar është arrestuar në Vorë pasi në banesën e tij u gjetën një armë zjarri tip automatik dhe municion luftarak.
Policia njofton se i arrestuari është personi me iniciale A.S, banues në Marikaj.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Vorë, operacioni policor i koduar “Marikaj”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Iu gjetën armë zjarri automatik dhe municion luftarak, në banesë, arrestohet në flagrancë 56-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Marikaj”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 56 vjeç, banues në Marikaj. Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, një krehër dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.