1.1 kg hashash dhe një automatik janë sekuestruar ditën e sotme nga Policia e Matit gjatë një kontrolli në banesën e një 33-vjeçari në Mat. Policia ishte njoftuar se qytetari me inicialet Gj. D, kultivonte dhe shpërndante hashash dhe shkuan në banesë për ta verifikuar.
Hashashi dhe arma u gjetën, por 33-vjeçari ishte larguar nga banesa dhe është në kërkim nga Policia.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohet 1.1 kg lëndë narkotike canabis sattiva dhe një armë zjarri automatik.
Shpallet në kërkim poseduesi i tyre dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.
Në vijim të kontrolleve të pandërprera të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, shërbimet e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, në bazë dhe bashkëpunimit dhe informacioneve të marra nga qytetarët, se një shtetas posedonte lëndë narkotike, kanë organizuar punën duke ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Gj. D., dhe si rezultat kanë gjetur një sasi prej 1.1 kilogram lëndë narkotike canabis sattiva.
Po gjatë kontrollit të imtësishëm të banesës dhe ambientit përreth saj, shërbimet e policisë kanë gjetur të fshehur një armë zjarri automatik që shtetasi Gj. D., e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, kanë bërë shpalljen në kërkim të shtetasit Gj. D., 33 vjeç, dhe po punohet intensivisht për lokalizimin e vendodhjes dhe kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/