Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit pasi akuzohet për pastrim parash.
Burime për mediat bëjnë me dije se në pranga ka rënë Kristaq Deraj. Sipas uniformave blu të riut iu gjet në makinë shumë prej 21 390 euro, 1 637 000 lekë të rinj dhe 185 dollarë, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Fier / Evidentohen dhe goditen brenda pak ditëve, 2 raste të lëvizjes së shtetasve me shuma të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale.
Iu gjetën në automjet 21 390 euro, 1 637 000 lekë të rinj dhe 185 dollarë, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, procedohet penalisht 39-vjeçari.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit ekonomik, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u ndalua në qytetin e Fierit, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. D.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, u gjetën 21 390 euro, 1 637 000 lekë të rinj dhe 185 dollarë, për të cilat 39-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre dhe për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin K. D., 39 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, 1 aparat celular dhe automjeti me të cilin lëvizte ky shtetas.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit K. D., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.