Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në aksin Korçë-Pogradec. I riu është identifikuar si Rubjan Kaca.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u kap me 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”. U kap duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Çërravë, shtetasin e mësipërm i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip “Volksëagen” dhe i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalonte. Shtetasi R. K., nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 19-vjeçari kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/