Gjykata e Tiranës ka shtyrë seancën për Nevaldo Hajdarajn, efektivin e Policisë që vrau me armë të riun Klodian Rasha.
Shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e avokatit të tij, Adriatik Cama. Ky i fundit u plagos gjatë vrasjes së Kudret Saliajt disa javë më parë në një lokal afër Gjykatës së Tiranës.
Cama ishte në një tavolinë me protangonistët më 4 qershor, kur Mexhit Picari qëlloi me armë ish-dhëndrin e tij Kudret Saliaj. Avokati mori plumb në gjoks dhe iu nënshtrua operacionit.
Në seancën e kaluar prokuroria kërkoi 20 vite burg për Hajdarajn, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar që është kërkuar nga i pandehuri, dënimi i aplikuar nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë llogaritet në 13 vite e 4 muaj burg.
Si ndodhi vrasja?
Më 8 dhjetor 2020, pas mesnatës, në zonën e Laprakës, polici i Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun Klodian Rasha, pasi ky i fundit nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Hajdaraj u arrestua menjëherë dhe ndaj tij nisi procesi i gjykimit, ndërkohë që vrasja hapi një valë zemërimi ndaj qeverisë dhe ish-ministrit të asaj kohe, Sandër Lleshaj. Për ditë me radhë, qindra të rinj, protestuan dhe kërkuan dorëheqjen e Lleshajt, e cila erdhi disa ditë pasi përplasjet degjeneruan në shkatërrim dhe revoltë masive nëpër rrugët e Tiranës.
/Priza.al/