Një superjaht në vlerë prej 75 milionë dollarësh, në pronësi të oligarkut të sanksionuar rus, Dmitry Pumpyansky, është shitur në një ankand në Gjibraltar.
Kjo është shitja e parë e aseteve të sekuestruara të oligarkëve rusë, qëkur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Howe Robinson Partners, që mbikëqyri ankandin, tha më 23 gusht se ka pasur 63 oferta për blerjen e superjahtit prej 72.5 metrash, “Axioma”, që ishte sekuestruar nga Pumpyansky.
Pumpyansky është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ologarkut iu sekuestrua jahti pas vendosjes së sanksioneve nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Oferta fituese dhe emri i pronarit të ri nuk është bërë publik. Detajet për shitjet do të bëhen publike pas dy javësh.
Jahti “Axioma” u sekuestrua nga Qeveria e Gjibraltarit pas pretendimeve ligjore nga banka investuese amerikane, JP Morgan, që tha se kompania e Pumpyanskyt, Pyrene Investments, i kishte borxh bankës më shumë se 20 milionë dollarë.
JP Morgan më pas i kërkoi gjykatave të Gjibraltarit që të sekuestrojë dhe më pas të shesë jahtin, duke argumentuar se Pumpyansky ishte subjekt i sanksioneve.
Pumpyansky ka qenë pronar dhe drejtor i prodhuesit të gypave të çelikut, OAO TMK, prodhuesit më të madh në botë. Po ashtu, kjo kompani është furnizuesi kryesor i kompanisë shtetërore të energjisë ruse, Gazprom. Ai u largua nga drejtimi i kompanisë pas sanksioneve të vendosura në mars.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj oligarkëve rusë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Shtetet perëndimore kanë sekuestruar prona, superjahte dhe avionë të miliarderëve rusë që kanë lidhje me Putinin./ REL