Dëshmia e zyrtares së kryeministrisë Alda Klosit banesa e të cilës ra pre e grabitjes është zbardhur ditën e sotme. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Klosi është shprehur se vetëm një pjesë e parave të gjetura në banesën e pastrueses janë të saj, ndërsa pjesa tjetër i përkisnin xhaxhait të sëmurë me kancer i cili është vendosur në SHBA për kurim.
Klosi thotë se mes sendeve të vjedhura në shtëpinë e saj janë unaza dhe bizhuteri të shtrenjta si veshje të markave të njohura.
Pjesa nga dosja e prokurorisë:
I është marrë deklarim të dëmtuarës Alda Klosi e cila në lidhje me sendet e gjetura ka deklaruar se, gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka pasur dhe deklaron se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120.000(njëqind e njëzetmijë) euro, të cilat kanë qenë në prerje 500 (pesëqindëshe) dhe 200 (dyqindëshe) si dhe një shumë prej 30.000 (tridhjetëmije) dollarë të cilat kanë qenë prerje 100 (njëqindëshe).
Deklaron se këto para i kishte të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait të saj i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhain e ka të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë dhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë.
Deklaron se ka pasur një unazë floriri me medaljonin e Shën Mërisë, një unazë floriri të bardhë me gurë të kuq, një unazë me flori të bardhë dhe me tre gurë, vathë të ndryshme me përmasa dhe forma të ndryshme, një palë vëthë me emoi, një varëse floriri me kryq dhe me Shën Mëri, një palë vëthë floriri në formë triangolo, një unazë flori me tre gurë diamandi. Një çantë me ngjyre blu dhe të bardhë e markës Valentino, një portofol me ngjyrë bezhë e markës Valentino.