Një tunel i gërmuar nga territori i Gazas në atë të Izraelit, me qëllim sulme të grupimit islamist Hamas ndaj shtetit hebre, është bllokuar nga forcat izraelite.
Këtë lajm e kanë bërë me dije vetë Forcat e Armatosura të Izraelit, duke shtuar se një skenar i ngjashëm me atë të vitit 2014, ku nga gaza hynë militantë islamistë drejt Izraelit, nuk u lejua të ndodhë.
Prej vitit 2014, qeveria izraelite është munduar të zhvillojë teknologji për të detektuar tunele të tilla, të cilat gërmohen nga grupimet e Hamasit, me qëllime sulmet ndaj fqinjëve.
Vitet e fundit, disa të tillë janë lokalizuar me sukses nga ana e Izraelit, mirëpo prej një viti, nuk kishte pasur neutralizim të asnjë strukture të tillë.
Pikërisht i njëjti tuneli i një viti më parë, ishte ribërë, nëpërmjet dy rrugëve të ndryshme nëntokësore, mirëpo forcat izraelite i kanë lokalizuar dhe shkatërruar përpara sulmit të islamistëve.
Situata në ditët e fundit ka qenë tejet e tensionuar në Gaza, pas sulmeve të njëpasnjëshme, fillimisht nga ana e Izraelit, ku i vrarë mbeti kreu i Xhihadit Islamik palestinez, e më pas nga ana e këtyre të fundit, raketat e të cilëve u shkatërruan të gjitha pa qëlluar asnjëherë në shënjestër, falë teknologjisë izraelite.
Prej asaj dite, tensionet vijojnë të jenë të larta mes palëve dhe një armëpushim ende nuk është arritur.