Dan Hutra, autori i vrasjes së ish-bashkeshortes së tij, Dafina Havalja, u arrestua nga uniformat blu të Kukësit.
Autori u ndalua teksa po udhëtonte me një furgon në drejtim të qytetit të Kukësit. Ai vrau me thikë vajzën me të cilën ai bashkëjetonte në një banesë me qira në një lagje të Tiranës.
Sipas dëshmisë së familjarëve të viktimës, ai pohoi në telefon vrasjen, duke u treguar se ku ndodhej trupi pa jetë i Dafinës. Familjarët treguan se në momentin e telefonatës, Hutra ndodhej ende në Shqipëri, ndërkohë që policia kishte dyshime të forta se Dan Hutra kishte kaluar kufirin me Greqinë.
Sipas deklarimeve të prokurorise, krimi në familje ka ardhur pas disa zënkave mes çiftit për arsye xhelozie. I pandehuri Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tij Dafina Havalja e tradhtonte, duke arritur kulmin pas tetë muaj fejese, ai ka marrë thikën duke e qëlluar disa herë në zemer dhe si pasojë sollën vdekjen e vajzës 22-vjeçare nga Klosi i Dibrës.
Sipas akuzës, per tetë muaj fejesa e tyre ka qenë me debate e tension për shkaqe xhelozie, por mëngjesin e 15 dhjetorit 2007, pas zënkës me 22-vjeçaren është larguar nga shtëpia. Ky largim ka bërë që vajza të telefonojë në shtëpi, për t’i kërkuar prindërve që të shkonin ta merrnin se nuk donte të jetonte më. Hutra kthehet sërish në banesë dhe sapo vihet në dijeni të telefonatës së bërë nga ana e viktimës, si dhe kërkesës së saj për t’i dhënë fund lidhjes së tyre, ai ka marrë thikën dhe e qëllon duke e lënë të vdekur.
Nga ekspertiza rezultoi se viktima kishte marrë dy plagë, një me thikë në kraharor afër zemrës. Pas krimit, Hutra mbledh rrobat e tij, largohet nga banesa dhe i lajmëron familjarët e vajzës. “Hajde merreni! E keni të vrarë te shtepia!”, ka qenë telefonata që i pandehuri i ka bërë prindërve të vajzës.
Me një pamje të qetë, por disi të përhumbur, ai ka deklaruar se e kishte vrarë gruan e tij pa vetëdije.