Në vitin e ardhshëm 2023 do të kalojnë në “skanerin” e Kontrollit të Lartë të Shtetit shumë institucione të rëndësishme, për të zbuluar abuzimet, keqmenaxhimin e fondeve, shpërdorimin e buxhetit të shtetit si dhe nuk kanë ofruar shërbimet ndaj qytetarëve.
Këto janë listat e 152 institucioneve publike nga Ministritë kryesore në vend, në rreth 61 Bashkitë, ndërmarrjet si Ujëllsjellësa Kanalizime, Radio Televizioni Publik e deri tek Strehëzat e të Moshuarve do të kalojnë në sitën e KLSH. Sipas këtij dokumenti audituesit do të kontrollojnë performancën financiare, përputhshmërinë e aktivitetit sipas legjislacionit, departamentet e teknologjisë së informacionit e deri tek zbatimet e rekomandimeve nga auditet e mëparshme.
Në sitë pritet të kalojë edhe institucione të rëndësishme si Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve, Posta Shqiptare. Një kapitull i veçantë në këtë auditim është edhe numri 56 ku përfshin “Për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave gjatë përdorimit të shërbimeve publike” e mes institucioneve që do auditohen janë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Policia e Shtetit.
Ndërkohë që do të ketë kontrolle të imtësishme dhe në projekte apo investime ,mbi cilësinë e realizimit të tyre, nga kompanitë përkatëse, çka do të thotë që pritet të merren masa edhe për firma të cilat nuk kanë realizuar punët siç i kanë marrë përsipër. Ky kalendar auditimi është firmosur nga kreu i institucionit ,z Arben Shehu, ndërsa përgjatë 2022-shit ka patur një numër të lartë kallëzimesh penale në prokurori ndaj zyrtarëve publik e të zgjedhurve të cilët u gjetën me shkelje nga KLSH. Gjithashtu janë marrë dhe një numër shumë i lartë masash në radhët e funksionarëve publikë.