E enjtja e 29 dhjetorit shënoi përvjetorin e nëntë të aksidentit në Alpe që ndryshoi rrënjësisht jetën e ikonës së Formulës 1, Majkëll Shumaker. Piloti legjendar gjerman pësoi lëndime të rënda në kokë pasi u rrëzua në një shkëmb në resortin francez të skive në Meribel.
Që prej atij aksidenti të tmerrshëm Shumaker mbetet në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa nuk është parë asnjëherë në publik. Informacionet rreth gjendjes së tij të saktë shëndetësore janë shumë të kufizuara, pasi familja e tij ka kërkuar gjithmonë të ruajë privatësinë e pilotit që bëri histori duke fituar shtatë kampionate botërore në Formula 1, duke e çuar Ferrarin në epokën më të lavdishme.
Gruaja e tij Korina dhe fëmijët Mik e Xhina flasin herë pas here për Majkëllin, duke treguar lidhjen e tyre emocionale me të, por pa dhënë asnjëherë detaje për gjendjen shëndetësore të ish-pilotit.
Vetëm disa muaj më parë u shfaq edhe një dokumentar në “Netflix” kushtuar Majkëll Shumakerit, teksa bashkëshortja, Korina shprehej: “Më mungon Majkëll çdo ditë. Por nuk më mungon vetëm mua, u mungon fëmijëve, babait të tij, të gjithë familjes dhe njerëzve rreth tij. Dua t’u them të gjithë atyre që u mungon Majkëll, se ai është këtu. Edhe pse ndryshe, ai është këtu dhe kjo na jep forcë. Ne përpiqemi të mbajmë një familje ashtu siç i pëlqente Majkëllit. ‘Privatësia është privatësi’, siç thoshte ai vetë gjithmonë. Për mua është shumë e rëndësishme që ai të vazhdojë ta shijojë sa më shumë jetën e tij private. Majkëll gjithmonë na ka mbrojtur në këtë gjë, dhe tani ne po e mbrojmë atë” – deklaroi Korina.