Gazetari Artan Hoxha ka treguar publikisht për mediat se si edhe ai është marrë peng. I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, gazetari Hoxha tha se, me gjithë këto ngjarje që kanë ndodhur në Shqipëri, edhe ai nuk ka shpëtuar.
Por, Hoxha shtoi se e kanë marrë peng në vitin 1997, pasi tani është më e vështirë.
“Sigurisht që më kanë marrë peng. Si thua ti, me gjithë këto gjëra, do kem shpëtuar unë (qesh). Më kanë marrë peng, në vitin 1997. Se tani është pak vështirë”,- tha Hoxha.
Ai ka treguar edhe se ka kaluar një periudhë kur Prokuroria e procedonte penalisht shumë herë pas denoncimeve që bënte në rrjetet sociale.
Hoxha tha se në një rast madje (i referohet dy kushërinjve të vrarë në Malësinë e Madhe, Vilson Çutaj dhe Kement Pepaj), ka denoncuar për trupa e viktima, por policia nuk shkonte të tërhiqte të vrarët.
“Në atë kohë unë denoncoja shumë kanabis, të mbjella. T’ju tregoj një rast. Nuk kisha parë bimë më të madhe. Në atë kohë më procedonin shumë herë penalisht. Prokuroria. Dhe kam shkuar si çeçua, me një këmbë shkoja. Nuk më jepnin më as telefonat mbrapsht. Problemi i tyre nuk ishte tek parcelat por tek videot e mia. Unë denoncoja, u thoja janë vrarë njerëz, policia nuk vinte të merrte trupat. Pse nuk vinin thua ti? Se nuk korrnin dot ato të mbjellat…dhe ashtu doli, fiks siç u thashë unë, trupa ishin aty”,- tha Hoxha ndër të tjera.
Shitja e kokainës
Gazetari Artan Hoxha tha se grupet që menaxhojnë kokainën dhe heroinën, janë si ‘të ndarë me thikë’ në Shqipëri. Sipas Hoxhës, me heroinën merren grupet më të vjetra në vend e në moshë, të cilët ruajntë kontakte me Turqinë dhe nuk janë shumë protagonistë.
Nga këto grupe, Hoxha përmendi ata që operojnë në qytetin e Beratit, Shijakut dhe Elbasanit. Gazetari shtoi më tej se, me transportin dhe shitjen e kokainës, ndryshon puna. Ata janë të rinj, djem që reklamojnë luksin dhe vishen me marka.
“Ka një ndarje këtu në fakt. Me heroinën dhe kokainën, merren grupe të ndryshme. Janë të ndarë. Me heroinën janë ata më të vjetrit. Janë grupe të vjetra, nuk reklamohen, nuk janë protagonist, por ruajnë më shumë kontakte, me Turqinë.
Ata janë në Shijak, në Shijak e kanë bërë të parët, në Berat e Elbasan. Ndërsa ata që merren me kokainën, janë këta të rinjtë që jetojnë mes luksit, vishen me marka, dalin firmato dhe bëhen protagonistë”,- tha Hoxha ndër të tjera.
Vrasja e Behar Sofisë
Gazetari Artan Hoxha, më shumë se një atentat e ka komentuar si një mesazh vrasjen e Behar Sofisë, të njohur ndryshe si ‘Padroni i drogës’.
Hoxha tha se, Sofia, jetonte pas qendrës tregatre pranë Piramidës së Tiranës, zonë të cilën e konsideroi si më të sigurtën në Shqipëri. Gazetari tha se, aty ka shumë siguri dhe me vrasjen e Sofisë, u dha një mesazh.
“E di ku jetonte Behar Sofia? Behari jetonte në vendin më të sigurt në Shqipëri…Ai jetonte aty pas qendrës tregtare, ku ka një siguri shumë të lartë. Janë banka, vetë qendra tregtare ka grupe të policisë private, por aty jetojnë edhe persona të tjerë që mbajnë siguri të lartë. Më shumë se një vrasje, u pa si një mesazh”,- tha Hoxha.
Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në Shqipëri u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit teksa ecte në këmbë pranë Piramidës.
/Burimi: TPZ.al/