Pasuria është edhe një prej arsyeve pse njeriu i futet sipërmarrjeve dhe të jesh personi më i pasur në botë nuk mbetet sfida më e lehtë e të gjithave.
Mbi të gjitha, kur bota po kalon kriza të njëpasnjëshme prej pandemisë e më pas prej zhvillimeve të luftës në Ukrainë, kur vetëm në 365 ditë, miliarderët e botës kanë humbur thuajse 2 trilion dollarë pasuri në tërësi prej bizneseve të tyre.
Jemi mësuar që vendin e parë ta zënë zakonisht persona të lidhur me teknologjinë, por ky vit do të përbëjë një ndryshim në këtë fushë pasi nuk do të kemi në vendin e parë as Jeff Bezos e as Elon Musk, të cilët ishim mësuar t’i kishim në majë të piramidës.
Është Bernard Arnault dhe familja pronare e grupit LVMH, me një pasuri prej 176.6 miliardë dollarësh, ai i cili do ta mbyllë radhitjen në vend të parë për 2022shin.
Pas, do të lërë manjatin amerikan Elon Musk, i cili këtë vit do të duhet të kënaqet me 146 miliardë dollarë pasuri, përkundër 200 miliardëve të vitit të kaluar.
Me lëvizje shumë të mëdha aksionesh në kompaninë automobilistike Tesla si edhe me blerjen e medias sociale Twitter, e cila vetëm telashe po i sjell, Musk do të jetë kështu i dyti këtë vit.
Treshen e podiumit e plotëson një personalitet i sipërmarrjeve të ndryshme nga India, Gautam Adani, i cili kryesisht punon me projekte infrastrukturore dhe pasuri të paluajtshme. Pasuria e tij llogaritet në 116.7 miliardë dollarë.
Jeff Bezos, falë aksioneve të tija në kompaninë Amazon, e mbyll vitin vetëm i katërti me 108 miliardë dollarë.
Teksa i pesti, renditet 92-vjeçari Warren Buffet, i cili falë aksioneve më kompaninë e tij Berkshire Hathaway, ka një pasuri prej 106.3 miliardë dollarësh.
Bill Gates i Microsoft dhe Larry Ellison i Oracle, janë në vendin e gjashtë dhe të shtatë, duke ruajtur balancat e tyre me mbi 100 miliardë dollarë.
Ndërsa, më poshtë, vijojnë me radhë Mukesh Ambani me 88 miliardë dollarë, Carlos Slim Helu me 83.6 dhe Steve Ballmer i Microsoft, mbyll dhjetëshen më të pasur në botë me 78 miliardë dollarë pasuri.
Nga 20-shja më e mirë, 13 janë amerikanë, të ndjekur nga dy francezë, di indianë, një meksikan, një kinez dhe një spanjoll.
Sa i përket mediave sociale, më i kuotuari mbetet sërish koka e Facebook, Mark Zuckerberg, me një rënie të ndjeshme të renditje, duke shkuar në vendin e 26-ë, por duke ruajtur balancën me 43 miliardë dollarë prej aksioneve të tija.