Barazimi 3-3 i Barcelonës ndaj Interit, mbrëmë në ‘Camp Nou’ e ka komplikuar së tepërmi mundësinë e kualifikimit të skuadrës katalanase në turet e mëpasëm të Champions League. Veç anës sportive, Barcelona mund të vuajë edhe financiarisht nëse nuk arrin të kalojë në fazën tjetër të këtij eventi, pasi eliminimi do të përkthehet edhe në humbje të të ardhurave.
Sipas gazetës spanjole ‘Mundo Deportivo’, skuadra blaugrana do të humbasë 18.4 milionë paundë, apo 21.1 milionë euro, nëse nuk arrin në çerekfinale të Champions League. Barcelona shpenzoi 132 milionë paundë, më shumë se 150 milionë euro, në afatin kalimtar të verës në një përpjekje për të rindërtuar skuadrën.
Por, që ata të paguajnë shpenzimet, kanë buxhetuar që skuadra të paktën të arrijë në tetëshen e fundit të garës elitare europiane për klube. Besohet se nëse arrin në fazën e eliminimit direkt, Barcelona do të ketë rreth 9.6 milionë euro, me 10.65 milionë euro të tjera, nëse arrijnë në çerekfinale. Një kualifikim në gjysmëfinale do t’i shtojë 12.6 milionë euro dhe 15.6 ose 20 milionë euro të tjera, nëse fitojnë Champions League, ose përfundojnë si nënkampione.