Të ashtuquajturat krizat e naftës të viteve 1973 dhe 1979, sollën në Shqipërinë e izoluar komuniste pasoja të rënda ekonomike. Kjo krizë u shoqërua nga një krizë tjetër globale, ajo e energjisë, çka bëri që shumë vende të mendonin për burime alternative të prodhimit të energjisë.
Ashtu si vendet e tjera të botës perëndimore, edhe Shqipëria e rreshtuar në anën e vendeve lindore, nisi të mendojë për burime alternative. Një nga këto burime ishte padyshim energjia diellore.
Në këtë kontekst, në vitin 1980 u paraqit një studim që parashikonte instalimin e paneleve diellore si mjet për të ulur konsumin e energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, siç ishte vajguri asokohe. Asokohohe në mbarë vendin po aplikohej ai që njihej si ‘Regjimi i Kursimit” ku të gjitha ndërmarrjet duhet të gjenin mënyra kreative për ulur shpenzimet.
Studimi u realizua nga inxhinieri Sotir Andrea, një personalitet i energjetikës shqiptare, i shkolluar më Slloveni dhe realizues i studimeve të ndryshme për proceset më të rëndësishme të elektrifikimit të Shqipërisë.
“Duke pasur parasysh masat përkatëse për kursimin e lëndëve djegëse, në radhë të parë të produkteve të lëngëta, mëposhtë po u paraqes një studim mbi mundësitë e shfrytëzimit praktik të energjisë së diellit për të fituar ngrohje uji me temperaturë të ulët. Nga vetë pozicioni gjeografik, vendi ynë paraqet në pjesën më të madhe të territorit të tij, kushte klimaterike relativisht të mbara për problemin që trajtohet. Nga të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik, rezulton që ditët me shkëlqim (të referuara në orë) janë 2000 deri në 2700 orë në vit për zona të ndryshme të vendit.
Duke qenë një pjesë e lëndës djegëse, kryesisht vajguri dhe më pak energjia elektrike përdoret për familjet tona për ngrohje uji me temperaturë nga 40-60 gradë celcius, për larje teshash e enësh, bërje banjo etj, del e qartë se zëvëndësimi i saj me energji diellore do të sjellë kursimin dhe mundësinë e përdorimit të tij në fusha të tjera të ekonomisë.
Konsumatorë të tjerë të ujit të ngrohtë janë fermat spitalet, hotelet, bufetë, konviktet, lavanderitë, banjot publike etj. të cilat paraqesin kushte tekniko- ekonomike më të leverdisshme për shfrytëzimin e energjisë elektrike. Kriza energjetike që ka përfshirë vendet kapitalistë dhe revizioniste dhe që bën presion të drejtëpërdrejtë edhe në vendin tonë, dhe nevoja e kursimit atje ku mundet, më kanë shtyrë t‘i hyj këtij studimi dhe të realizoj diçka dhe në praktikë” shkruhej në hyrje të studimit të vitit 1980 të profesorit të njohur.
Në funksion të këtij studimi ishte ndërtuar edhe një panel diellor i tipit kolektor që ishte vënë në shfrytëzim në muajin gusht të vitit 1979. Paneli ishte ndërtuar në mënyrë artizanale dhe rendimenti i tij nuk konsiderohej maksimal.
Foto mëposhtë: Paneli diellor eksperimental i ndërtuar në Shqipëri në 1979
Projekti i vendosjes së paneleve diellore në Tiranë
Pas këtij eksperimenti, profesori i njohur kishte përllogaritur se sa do të kushtonte instalimi i paneleve diellore në familjet e kryeqytetit dhe nga ana tjetër, edhe kursimin që do të përfitohej nga ky veprim.
Referuar përllogaritjeve, për një familje prej 4 vetësh nevojiteshin rreth 35 litra ujë të ngrohtë në ditë me temperaturë rreth ‘40-‘50 gradë Celsius. Për këtë sasi, llogaritej se për çdo familje kurseheshin rreth 35 litra vajguri në vit.
Ndërkohë, nëse projekti do të aplikohej në 60 mijë familjet e Tiranës, atëhere ky veprim do të kursente 1 mijë e 680 tonë vajguri në vit. Panelet diellore, sipas projektit, mund të vendoseshin mbi taraca ose në çatitë e ndërtesave. Po ashtu, parashikohej që projekti të zhvillohej me dy faza.
Faza e parë parashikonte që uji në një apartament do të merrej direkt nga paneli ndërsa për një shfrytëzim më të mirë, në një fazë të dytë mund të grumbullohej në një depo të izoluar mirë termikisht të vendosur në kuzhinë ose banjo.
Për një apartament që përfshihej në një pallat 5 katësh, investimi për një impiant uji të ngrohtë vlerësohej 800 deri në 1 mijë lekë, dmth 2-3 % e kostos së apartamentit. Investimi vlerësohej se mund të kthehej në një periudhë 3 vjeçare.
Nga ana tjetër, për këtë studim edhe Katedra e Termodinamikes e Universitetit të Tiranës kishte nisur prej disa vitesh që të eksperimentonte me një panel diellor për të parë mundësinë e shfrytëzimit të energjisë diellore.
Pavarësisht studimeve, ky projekt nuk u aplikua në Shqipëri.
Ëndrra e energjisë bërthamore, projekti për central në Tiranë
Kriza e naftës së vitit 1979 dhe kriza energjetike solli një zhvillim të energjisë bërthamore në botë.
Në këtë garën e fundit, Shqipëria bëri përpjekje të mos mbetej pas e për këtë qëllim, ndërmori edhe disa hapa konkretë, pak të njohura për publikun e gjerë. Por që nëse i analizojmë ato që kanë ndodhur ndër vite, mund të thuhet se Shqipëria nuk ka pasur si synim të qartë dhe të menjëhershëm zhvillimin e energjisë bërthamore, por së paku përdorimin e saj në fushën e bujqësisë dhe mjekësisë.
Për të arritur deri te ndërtimi dhe operimi i një centrali bërthamor për prodhim energjie, Shqipërisë i duhej që të niste së paku një dekadë më herët përgatitjet në mënyrë që të përgatitej stafi e të jepeshin prova se vendi do të mund të menaxhonte një teknologji të tillë.
Në këtë kontekst, Shqipëria kishte ngritur një institut të fizikës bërthamore me profesionistë, që prej vitesh kryenin eksperimente të kësaj natyre për qëllime bujqësore apo mjekësore.
Me argumentin se duhej të zhvillohej fizika bërthamore në Shqipëri njësoj si në vendet e tjera, në fillimin e viteve ’80 Shqipëria iu drejtua zyrtarisht Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, që ta mbështeste në projektin e ndërtimit të një reaktori bërthamor që do të përdorej për qëllime shkencore.
Kërkesa u pranua në parim dhe kjo bëri që të hartohej edhe një projekt konkret nga Instituti i Fizikës Bërthamore. Projekti i parë u dorëzua në fundvitin 1982 dhe parashikonte ndërtimin e një objekti të posaçëm ku do të vendosej një reaktor i vogël bërthamor, që do të kishte në përbërje sallën e reaktorit, dhomë teknologjike, një laborator radiokimie dhe një fizike, oficinë etj.
Vlera e përgjithshme e investimit vetëm për ndërtimin e godinës speciale ishte përllogaritur 5 milionë lekë.
Në studimin e realizuar, ekspertët e institutit evidentonin se kërkesat e teknologjisë së një ndërtimi me shumë përgjegjësi siç ishte një reaktor bërthamor, do të kërkonte një fond valutë për të siguruar nga importi disa materiale të posaçme. Veç 5 milionë lekëshit, për këtë projekt kërkohej edhe 1.5 milionë lekë të tjera në valutë të huaj, duke e çuar projektin në një total prej 6.5 milionë lekësh. Projekti i godinës ishte hartuar nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve nr.1 në Tiranë.
Këto përpjekje mbeten vetëm në letër pasi projekti nuk avancoi më tej, si shkak i mungesës së fondeve. Diskutimet për këtë projekt zgjatën rreth 10 vite dhe u mbyllën në vitin 1992 pa u finalizuar dot, qoftë për arsye politike, ashtu edhe financiare./ SCAN