Lionel Mesi ka fituar për të tetën herë “Topin e Artë”. Në vitin e 67-të të trofeut, çmimi më i rëndësishëm individual i ka shkuar kampionit të botës, që aktualisht luan për Inter Majamin në SHBA. Triumfi me Argjentinën në kampionatin botëror në Katar në dhjetor 2022 ka qenë vendimtar për suksesin e radhës të “pleshtit”, që ka arritur në shifra që tingëllojnë përtej imagjinatës. Ketë herë nuk ka polemika si në vitin 2021. Kujtimet e atij viti janë ende në memorie me akuza dhe polemika të shumta, nëse i takonte Leos apo Levandovskit.
Në vitin 2023 nuk ka pasur debat në lidhje me trofeun. Edhe pse ka pasur nga ata të cilët mendojnë se Haland – falë tripletës me Sitin – mund të meritonte diçka më shumë, përsëri në përgjithësi ka një dakordësi mbi faktin se Leo e ka merituar trofeun. Pas natës magjike, Mesi është kthyer në Florida. “Pleshti” fluturoi menjëherë drejt Shteteve të Bashkuara për të rifilluar përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
Inter Majami, pa dyshim, e ka festuar suksesin e numrit 10, i cili u prit ngrohtësisht nga shokët e tij, stafi teknik dhe drejtuesit.
Për të nderuar Mesin, u krijua korridori i famshëm i futbollistëve dhe u bënë foto të shumta me një karton në formën e numrit 8, e gjitha në ar, me autografet e pjesëtarëve të skuadrës. Shumë buzëqeshje, shtrëngime duarsh dhe përqafime për futbollistin më të mirë në botë.