Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku pas një sherri banal mes dy personave, shtetasi Nesti Sotiri, rreth 60 vjeç u qëllua me thikë nga shtetasi Velo Azisllari.
Burime për median bëjnë me dije se djali i Nestir Sotirit, Erion Sotiri është shoqëruar në polici, për t’u marrë në pyetje si dëshmitari i vetëm në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Në momentin e ngjarjes djali ka qenë me babain e tij në stallën ku mbajnë bagëtitë kur qentë e autorit iu kanë lehur dhe sulur. Kaq ka mjaftuar që babë e bir të ankohen për këtë situatë te autori por ky i fundit nuk i ka pritur mirë duke degraduar në përdorimin e thikës që autori mbante me vete. Autori ka qëlluar në drejtim të Nesti Sotirit bashkëfshatarit të tij, goditje kjo që ka rezultuar fatale për 60-vjeçarin.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në pak minuta rreth orës 21:40 në fshatin Rrëmbec te Maliqit pranë stallave të dy bashkëfshatarëve ndërsa qentë e autorit kanë qenë shkaku i konfliktit që çoi në një vrasje. Qentë e autorit Velo Azisllari janë bërë shkak edhe për denoncime nga bashkëfshatarët e tjerë në emisione investigative pasi ky ishte një problem për gjithë lagjen.