Televizioni “Top Channel” ka siguruar një rast që vërteton se si funksionon mashtrimi kibernetik dhe kërkohen para nga mashtruesit, të cilët i thonë viktimave se persona të ndryshëm në botë kanë lënë pasuri për ta.
Një zonjë shqiptare që është nënë e dy fëmijëve është kontaktuar në profilin e të bijës në Instagram nga një mashtrues që përdor identitet të rremë. Ai i thotë se është një zonjë me origjinë italiane që do të dhurojë pasurinë e saj me vlerë 40 mijë euro pasi vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ditët e saj janë të numëruara.
“Unë quhem Viola Bucho, me origjinë italiane. Si përmbledhje unë dua t’i dhuroj gjërat e mia një personi të ndershëm që ka nevojë për të. Vuaj nga një sëmundje e rëndë e cila më dënon me vdekje të sigurt, është kanceri i kokës. Kam një shumë prej 40 mijë euro, kështu që unë do të dojë të bëja një donacion me mbështetje të besueshme dhe të sinqertë për ta përdorur atë.
Jam importues i vajit të kuq dhe kam kompaninë, kam humbur burrin tim 6 vjet më parë, i cili më preku shumë dhe nuk mund të martohesha deri më tani, nuk kisha fëmijë. Unë jam i gatshëm të jap këtë para vdekjes time sepse ditët e mia janë të numëruara në këtë tokë, kështu që në mungesë të kësaj sëmundjeje kam pasur vetëm një qetësues në Kanada për arsyet e shëndetit tim”, i shkruan “Bucho” në Instagram.
Pas kësaj bisede, mashtruesi i merr të dhënat e numrit të kontaktit dhe i shkruan në “Whatsapp” duke i thënë se është avokati i Viola Bucho, i cili prezantohet si Charles Boureq.
Fillimisht mashtruesi i kërkon 155 euro pasi pretendon se është kostoja e noterit që duhet të përgatisë certifikatën për të zhbllokuar pasurinë e zonjës. Por gruaja shqiptare shfaq shenja dyshimi dhe i thotë: “Unë s’kam një siguri a ekziston ajo pasuri. Thjesht me fjalë. Mund të dërgoni një foto a diçka që ta besoj a është e vërtetë çfarë po thoni”.
Më pas, mashtruesi i dërgon të dhënat e llogarisë bankare për të transferuar 155 euro në mënyrë që të vijojnë me procedurat e tjera. Adresa e bankës që i ka dërguar rezulton të jetë në Greqi.
Gruaja nuk shfaq besim dhe i thotë se nuk do e paguajë koston prej 155 euro, ndërsa mashtruesi përpiqet ta bindë duke i thënë: “Zonjë, ne vetëm po presim që ju të filloni me dosjen tuaj dhe sot nëse gjithçka shkon mirë deri nesër, ne do të mbarojmë me dosjen tuaj.”
Kur ajo insiston dhe i shkruan në disa gjuhë të ndryshme se nuk ka ku të gjejë paratë për të kryer pagesën, mashtruesi i përgjigjet: “Nuk ka rëndësi. Për sa kohë mund të shpresojmë për ju? Atje mund t’i them noterit tim të fillojë punën, unë do t’ju dërgoj formularin e bashkangjitur.”
Mashtruesi nuk dorëzohet dhe i dërgon formularin në “Whatsapp”, ku i kërkohet: emri dhe mbiemri, gjinia, data e lindjes, qyteti, shteti, kodi postar, numri në Whatsapp, puna si dhe dokumente:
Kartë identiteti ose pasaportë e dyfishtë ose ndonjë dokument tjetër që njeh identitetin. Ndër të tjera i thotë se po informacioni i duhet për certifikatën e dhurimit, ndaj i duhen edhe të dhëna si:
-emri i bankës, -numrat e llogarisë bankare, -IBAN, -BIC dhe i kërkon që të transferojë fonde në llogari sa më shpejt të jetë e mundur.
Shqiptarja i thotë se nuk mund të japë asnjë prej të dhënave të saj kur nuk e di nëse ekziston pasuria e zonjës nga Italia që ndodhet e shtruar në një spital në Kanada. Por mashtruesi përdor faktin që i ka dërguar kartën e identitetit duke i thënë:
“Pikërisht përmes detajeve tuaja të kontaktit, noteri im do të bazohet në krijimin e certifikatës së dhurimit. Në asnjë rrethanë banka nuk mund të fillojë transferimin pa nënshkruar certifikatën. Unë tashmë ju kam dërguar koordinatat e mia në mënyrë që të më jepni besimin tuaj në mënyrë që puna të bëhet sepse pa besim nuk mund të bëjmë asgjë për ju zonjë, ju duhet të keni besim tek ne.”
Gjatë bisedës, shqiptarja i thotë se nuk ka para dhe i dërgon një fotografi të avokatit Charles, me emrin e të cilit është prezantuar mashtruesi duke e pyetur nëse është ai. Mashtruesi e pyet menjëherë se ku e gjeti foton dhe më pas ajo tregoi se gjithçka u zbulua përmes një kërkimi që bëri në Facebook.
Menjëherë pas kësaj bisede, mashtruesi i kthehet historisë së tij duke i thënë: “Unë dua që të arrini të paguani atë kosto. Ju do të përfitoni nga zonja sepse unë fola me të këtë mëngjes për ty, ajo më tha për vajzën tënde të vogël.” Ndërsa shqiptarja i kërkon vërtetim të pasurisë së italianes, por mashtruesi nuk ka asgjë për ta vërtetuar dhe i dërgon dy fotografi të avokatit Charles Boureq.
Shqiptarja nuk e beson duke i thënë se janë imazhe të montuara. “Fotoja që keni është e ngjitur. Nuk është reale. Avokati im thotë që është mashtrim dhe t’mos jua jap të dhënat”, i shkroi ajo.
I vënë në vështirësi, mashtruesi i kërkon numrin e avokatit, por shqiptarja i thotë se nuk mund ta bëjë pa miratimin e tij sepse i ka thënë që nuk ka asnjë dokument të vulosur që ekziston trashëgimia.
/Burimi: TCH/