Ka nisur edhe ditën e sotme protesta e pedagogëve të cilët janë të vendodur të bojkotojnë mësimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Aleko Miho pedagog në Fakultetin e Shkencave, pjesëmarrës në protestën kombëtare përballë Korpusit Universitar, ka deklaruar se duhet të ketë një mbështetje më të madhe për arsimin publik. Gjatë fjalës së tij në protestë, ai u shpreh se e kupton se situata është e vështirë dhe se në vend ka varfëri por, edhe kërkesat e pedagogëve janë legjitime.
Më tej ai u ka bërë thirrje qeveritarëve të dëgjojnë zërin ndryshe, pa etiketime, referuar edhe deklaratave të kryeministrit Rama ndaj kreut të Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi, i cili u quajt nga kreu i qeverisë shiks.
“Është cënuar dinjiteti i akademikëve dhe intelektualizmi që është zbehur në vend. Kemi gjetur rrugë të ligjshme për të rrumbullakosur të ardhurat, dikush si pedagog i jashtëm, konsulent apo biznes. Kërkesa jote mund të duket e tepruar në një vend që ka shumë varfëri. Shumë prej nesh bashkohen në misionin e përbashkët. Burrat e shtetit duhet të gjejnë forcën të dëgjojnë zërin ndryshe pa etiketime. Kjo është demokracia.
Unë dhe familja ime bëjmë një jetë modeste e kështu kemi edukuar edhe fëmijët. Ndjehem krenar për çfarë kam bërë këto vite. Kemi pasur mundësi të largohemi por bindja ime është që arsimi publik lejon që misionin tonë ta kryejmë më mirë këtu. Qeveria të shtrëngohet diku gjetkë që të mbështesë arsimin publik. Unë vetë jam me bindje të majta”, tha ai.