Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën për akuzat që kjo e fundit lëshon mbi situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Sipas Ramës, jemi në kohë lufte dhe Shqipëria nuk i shpëton dot ndikimit të sulmit rus në Ukrainë.
Gjatë fjalës së tij në një takim në Berat, Rama e cilësoi opozitën si një degë të shtrembër. Më tej, ai ka sulmuar edhe mediat se sipas tij, shtrembërojnë realitetin dhe dezinformojnë qytetarët.
“Mungesa e njerzillëkut dhe nxitja e keqkuptimit dhe mosmarrëveshjes dhe konfliktit dhe pasqyrimi gjithnjë e më i deformuar nëpër media i realitetit, janë sot aq evidente që ta bëjnë të mendohet çdo shqiptar se çdo të thotë sot të jesh shqiptar pa mbyllur sytë përpara asnjë problemi dhe shqetësimi që vendi yt mund të ketë dhe duke u sjellë kundër interesave të tij.
Imagjinoni kur në Afrikë flitet për luftë dhe për pasojat e luftës, në Amerikë flitet për luftë dhe për pasojat e luftës, në Amerikën Latinë flitet për luftë dhe për pasojat e luftës, këtu në Shqipëri në mes të Evropës janë disa që duan me çdo kusht ta kthejnë përmbys këtë vend me pretendimin që nuk ka luftë. Nuk ka luftë është fiks e njëjta gjë që thotë ai zotëria që e ka nisur luftën, Putini. Imagjinoni kur nga brenda gjenden edhe shërbëtorë të gatshëm të vihen në dispozicion të interesave të tyre personale. Njerëz pa fe dhe thonë është fyerje. Fyerje është të vazhdojmë t’i dëgjojmë. Njërëz pa atdhe, dhe thonë është fyerje. Jo, fyerje është të vazhdojmë ti shohim. Këtë e bëjnë se janë në mision. Janë një degë e shtrembër që është në mision që në 1912-ten. Është një mallkim me të cilin duhet të merren shqiptarët vetë. Fatmirësisht janë pakicë dhe do të jenë pakicë se nuk kanë si të bëhen shumicë, të gjendesh përballë fakteve aq tronditëse sa shpërblimi financiar nga të huajt jo dashamirës ndaj vendit dhe të besosh dhe të ndjekësh ata që vazhdojnë deri këtë vënë në pikëpyetje se çfarë do të thotë për këta njerëz jam shqiptar”, u shpreh Rama.