Rezoluta e propozuar nga një grup deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnjë Hercegovinë” u rrëzua ditën e djeshme në Kuvend me shumicë votash. Kjo shkaktoi shumë reagime nga deputetët e opozitës në vend.
Por duket se jehona e rrëzimit të rezolutës për genocidin e Serbisë në Serbrnicë ka kaluar kufijtë. Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar lajmin në faqet e para të webeve onlin.
Sjellim në vëmendje se rezoluta është nisur nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Opozita parlamentare akuzoi mazhorancën e kryesuar nga kryeministri Edi Rama, të cilët të gjithë votuan kundër rezolutës, për lidhje të ngushta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ndërkohë që deputeti i PD-së, Tritan Shehu tha se ishte një ditë e hidhur dhe e shëmtuar për Kuvendin e Shqipërisë.
“Ne jemi i vetmi parlament që nuk kemi një dokument formal që dënon gjenocidin. Është një ditë që lë gjurmë të rënda në botën demokratike. Pak ditë më parë, këta zotërinj votuan kundër rezolutës që dënon gjenocidin rus në Ukrainë. Sot nuk e pranuan rezolutën që dënon gjenocidin serb. Në Bosnje nesër nuk do të pranojnë të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë. Pse? Këto janë detyrimet tona. Këto janë qëllimet. Prandaj jemi të veçuar sot në parlamentin shqiptar”, tha Shehu.
Nga ana tjetër Sekretgari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se nuk mund të mbështesin një rezolutë që mbështetet edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili shërbeu si president i Shqipërisë gjatë gjenocidit të Srebrenicës. Balla pretendoi se Berisha kishte ndihmuar presidentin e atëhershëm serb Slobodan Millosheviç të kryente gjenocid duke i dërguar atij naftë në kundërshtim me një embargo ndërkombëtare të naftës kundër Serbisë.
Një replik pati edhe nga Berisha i cili mohoi akuzat se kishte shkelur embargon e naftës ndaj Serbisë, duke thënë se embargoja e vetme që kishte shkelur ishte dërgimi i armëve në Bosnje dhe Kroaci, të cilët në atë kohë luftonin kundër serbëve.