Rrëzimi i rezolutës së Srebrenicës në Parlamentin e Shqipërisë ditën e sotme, nuk ka bërë zhurmë vetëm në vend, por edhe më gjerë.
Media të mëdha në Ballkan i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme lajmit.
Nga një kërkim që lapsi.al bëri në mediat e vendeve fqinje, por edhe më gjerë shihet se të parat dhe më të shumtat që i kanë dhënë zë këtij lajmi janë mediat serbe të cilat theksojnë se kundër kërkesës votuan 51 deputetë dhe vetëm 15 ishin në favor të saj.
“Tanjug” që raportoi e para lajmin citon edhe ish-kryeministrin Berisha që akuzon kryeministrin Rama se “nuk pranon të dënojë ngjarjen pasi merr urdhra nga Aleksandër Vuçiç. “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më antishqiptare se sa në kohën e kryeministrit aktual Edi Rama. Ju keni harruar gjakun e 8000 burrave dhe fëmijëve boshnjakë dhe jetën e më shumë se 100 mijë shqiptarëve në Kosovë. Çfarë mund të presësh nga njeriu i Aleksandër Vuçiqit? Si votoni ju shqiptarë kështu”, – citon Berishën Tanjug.
Raportimin e Tanjug e kanë marrë më pas, pothuajse copy paste të gjitha mediat e tjera serbe. Politiko, B92, Blic, etj, i japin më shumë hapësirë rrëzimit të rezolutës dhe akuzave të Berishës për Ramën dhe Vuçiç.
Nuk ka bërë dallim as agjencia e pavarur e lajmeve “N1” dhe shpesh herë kritike e Vuçiç që ka pasqyruar më së shumti deklaratat e deputetëve të opozitës, Berisha dhe Shehu.
Dega e “Al Jazeera” në gjuhën serbe që raporton përgjithsisht në mënyrë të pavarur lajmet nga Ballkani i ka dhënë gjithashtu zë asaj që ndodhi në parlamentin shqiptar.
Ndërsa agjencia e lajmeve turke “Anadolu Agency” nënvizon se parlamenti shqiptar hodhi poshtë një kërkesë të disa ligjvënësve të opozitës për të mbajtur një seancë për të diskutuar një rezolutë që njeh dhe dënon gjenocidin e Srebrenicës, citon lapsi.al. “AA” thotë se “propozimi për futjen e një pike në rend të dites për miratimin e rezolutës, e dërguar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, u rrëzua me votat e shumicës së deputetëve”. Kjo agjenci u jep hapësirë si mazhorancës dhe opozitës për arsyet që mbështesin.
Agjencia e lajmeve “Radio Europa e Lirë” bëri një shkrim të gjatë për rrëzimin e kërkesës së opozitës në parlamentin shqiptar. Edhe kjo agjenci ka bërë një raportim korrekt të deklaratave të të dyja palëve.
Lajmi është publikuar në faqet e para edhe të medieve boshnjake, malazeze dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas kësaj jehone të lajmeve në të gjithë rajonin, mazhoranca është detyruar të angazhohet me të gjitha mënyrat për të zbutur efektet e asaj që ka ndodhur. I pari që doli urgjentisht përpara parlamentit ishte Taulant Balla që theksoi disa herë se “mazhoranca nuk kishte rrëzuar përmbajtjen e rezolutës, por personin që e kishte propozuar”.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu bëri një seri komentesh në Twitter duke e konsideruar atë që ndodhi një “lojë të ulët” dhe duke akuzuar Berishën si “njeriun që do të njollosë Shqipërinë”.
Këtë të enjte parlamenti shqiptar nuk pranoi kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës për të futur në kalendarin e punimeve miratimin e një rezolute që pranonte se krimet e kryera në Srebrenicë në korrik 1995 ishin gjenocid. Propozimi i deputetit të PD-së Tritan Shehu u rrëzua me votat e deputetëve të Partisë Socialiste.
Në vitin 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka dënuar 20 persona për këtë krim, 7 prej tyre për gjenocid. Deri tani janë gjetur, 94 varre masive në zonën përreth Srebrenicës në të cilat ushtarët e Republikës Srpska varrosën civilët e vrarë. Familjet janë ende në kërkim të mbi 1 mijë viktimave të gjenocidit./Lapsi.al