Tërheqja e trupave të Koalicionit Perëndimor të udhëhequr nga SHBA-të nga Afganistani, në një formë të beftë por të paralajmëruar dhe marrja e vendit nga militantët Talibanë thuajse pa “shkrehur asnjë pushkë”, duket më shumë si një “dhurim” apo “braktisje” e vendit që u mbajt me shpresë të kotë 20 vite.
Për këtë tezë, por edhe për atë se gjithçka ka qenë e parapërgatitur që nga administrata “Obama”, por u vonua për 4 vite nga ajo e ish-presidentit Trump, tani po flitet gjithmonë e më shumë.
Por një deklaratë “bombë” që tregon me vërtetësi se gjithçka paska qenë e parapërgatitur (për të ndodhur kështu ose më keq), e ka nxjerrë sot si pa menduar ose kalimthi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Duke folur për vendimin e strehimit të afganëve në Prishtinë, Kurti sipas “Gazetës Ekspress”, ka thënë se, po bëjnë mbi një muaj që po merren me përgatitjen e strehimit të afganëve në Kosovë.
Sipas “Express”, ai gjithashtu shtoi se, këtë përgatitje gjatë këtyre kohëve e kanë bërë në koordinim me SHBA-të.
“Shpreh keqardhje me pamjet e rënda ku urojmë të ketë sa më pak viktima. Qytetarët ku do në botë jo vetëm që meritojnë po iu takon demokracia dhe ne urojmë më të mirën për afganët.
Ka një muaj që Qeveria është në kontakt të rregullt me ShBA për tu përgatitur për strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve. Ne jemi shtet serioz dhe këtë punë e kemi bë pa zhurmë dhe me shumë kujdes se kjo çështje është e dhimbshme, por edhe çështje e ndjeshme e sigurisë.
Ne e kemi SHBA-të e kemi aleatë të pazëvendësueshëm, përveç aspekti të solidaritet e ka edhe dimension edhe të aleancës me Amerikën. Ata na kanë përkrahur në vazhdimësi kjo është pjesë e vogël e kontributit.
Hollësitë janë duke e diskutuar me ShBA-në dhe ato u përkasin ekipeve tona dhe kur të kenë detaje për shifrat, mënyrat dhe kohëzgjatjen”,- deklaroi Albin Kurti.
Kurti shtoi se, ekipet e të dyja vendeve janë në bisedime të vazhdueshme në mënyrë që strehimi të jetë sa më i sigurt.
Por pyetja që lind me të drejtë nga e gjitha kjo, është se: Ku e dinte Albin Kurti dhe SHBA-të se situata do të agravonte pikërisht në këtë mënyrë dhe se do të kishte një valë të madhe refugjatësh?
A e dinin SHBA-të, Kurti dhe Koalicioni që përpara një apo dy muajsh se Talibanët do të mund të merrnin kaq kollaj gjithë Afganistanin dhe Kabulin pa hasur në asnjë rezistencë?
Ku e dinin SHBA-të dhe Kurti që refugjatët do të niseshin në këtë formë duke hipur edhe mbi avionë?
A ka pasur një skenar të parapërgatitur që e gjithë situata të degjeneronte në këtë formë dhe gjithë investimi që Perëndimi dhe NATO bëri në ushtrinë Afgane do të plaste si një flluskë sapuni?
Të gjitha këto janë vetëm pyetje dhe dyshime që shtohen nga mënyra se si dështoi Koalicioni i kryesuar nga SHBA-të në Afganistan dhe tani skenari me refugjatët do të jetë me gjasë një tjetër cikël apo një tjetër “projekt”.
/Priza.al/