Takimi dy ditor që po mbahet me kryebashkiakët në Pogradec duket sikur nuk po shkon dhe aq mirë. Gjatë fjalimeve duket se kryeministri Rama është nervozuar dhe ka sulmuar dy kryebashkiakët Safet Gjici dhe Pjerin Ndreun.
Ishte fillimisht Safet Gjici, ai që kundërshtoi projektin e ndërtimit të Urës së Madhe në Kukës, që sipas tij do ta linte qytetin si një xhep dhe do ta shkëpuste nga rruga kryesore. Gjici tha se projekti është kundërshtuar nga qytetarët dhe shoqëria civile, teksa u përball dhe me ndërhyrjen e Ramës ‘edhe këtu do na e fusësh shoqërinë civile’.
I dyti në radhë që shprehu rezerva për mungesën e investimeve në Shëngjin, ishte Pjerin Ndreu, i cili u përball po ashtu me kritikat e Ramës, teksa kryeministri i cilësoi vërejtjet e tij muhabete pa lidhje. Rama tha se si në Kukës, ashtu dhe në Shëngjin, po bëhen dy nga projektet më të mëdha aktualisht dhe se vërejtjet e kryebashkiakëve ishin të pavenda.
“Ti dhe Safeti jeni njerëz interesantë, ndaj jeni dhe më të suksesshmit, njëri thotë që Kukësi do mbetet xhep fallso nga Ura e Madhe, tjetri thotë që Shëngjini do të mbetet i fundit. Kur këtu po bëhet dy nga projektet më të rëndësishme dhe më të mëdha aktualisht në Shqipëri”, tha ai.