Jeta e ish-deputetit Ujka ‘kushtonte’ vetëm 30 mijë euro? Zbardhet atentati në Shkodër mbi bazën e pistave të ngritura nga familjarët  

Një 20-vjeçar është ndaluar nga Policia e Shkodrës në lidhje me atentatin ndaj ish-deputetit dhe ish-kryekomunarit Pashk Ujka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së hënës. Shtetasi Kristjan Kelmendi është ndaluar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Marjan Kola, 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Autori i dyshuar mendohet se kohët e fundit ka pasur një konflikt me viktimën për një borxh.

Sipas burimeve policore, Pashk Ujka i ka shitur 20-vjeçarit Kelmendi një shtëpi para pak vitesh ku ka jetuar viktima. Ajo banesë në kohën kur jetonin familjarët e ish-deputetit është përfshirë nga një zjarr dhe aty ka humbur jetën një prej familjarëve të viktimës dhe në këtë mënyrë ish-deputeti ka vendosur që ta shesë.

Blerësi është shtetasi Kristjan Kelmendi, i cili pasi ka paguar një pjesë të parave për shtëpinë e blerë, ka pasur për t’i dhënë edhe një shumë prej 30 mijë eurosh. Por biznesmeni Ujka në atë kohë i ka thënë nuk i donte ato para, duke qenë se aty ka humbur jetën një familjar i tij.

Pas kësaj historie, kohët e fundit viktima, për shkak të problemeve ku dyshohet se është futur me borxhe të pashlyera, ka telefonuar 20-vjeçarin, i cili ndodhej në Itali, duke i kërkuar që t’i japë shumën prej 30 mijë eurosh. Por 20-vjeçari ka kundërshtuar kërkesën duke thënë se, është një bisedë e mbyllur mes tyre.

Sipas dyshimeve, ish-deputeti i ka thënë se nëse nuk i kthen paratë në pak kohë, do t’i nxjerrë familjen jashtë nga shtëpia që i kishte shitur. Palët kanë debatuar mes tyre dhe më pas 20-vjeçari Kelmendi dyshohet se ka ardhur nga Italia dhe ka ruajtur ish-deputetin duke e qëlluar mbrëmjen e 29 nëntorit afër banesës së tij, në një lulishte pranë zonës së këmbimit valutor.

Personi tjetër i arrestuar, shtetasi Marjan Kola, 53 vjeç, i cili u kap duke ikur në Doganën e Morinës drejt Kosovës, dyshohet se është bashkëpunëtor i 20-vjeçarit në vrasjen e ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës Velipojë, Pashk Ujka, që u qëllua me një plumb në pjesën e sipërme në shtyllën kurrizore, duke i marrë jetën.

Shtetasi Kristjan Kelmendi, dyshohet se ka shenja baruti në duar dhe pritet një konfirmim i fundit nga Policia Shkencore, për të vërtetuar dyshimet. Dy të ndaluarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre në Polici, duke thënë se, nuk kanë lidhje me këtë vrasje. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të ndodhur në qytetin verior pak ditë më parë.

Si u vra ish-deputeti Pashk Ujka

Ish-deputeti Pashk Ujka, po bënte shëtitjen e zakonshme së bashku me bashkëshorten mbrëmjen e 29 nëntorit në lulishten afër banesës së tij. Disa metra më përpara ndodhej edhe vëllai i viktimës, bashkë me bashkëshorten e tij.

Teksa ishte duke ecur, papritur, rreth orës 18:15, një person është afruar dhe nga mbrapa ka qëlluar në drejtim të 64-vjeçarit me një pistoletë me silenciator. Bashkëshortja e viktimës dhe vëllai i tij e kunata nuk kanë dëgjuar asgjë.

Bashkëshortja e ka parë në tokë burrin e saj dhe për një moment bashkë me të vëllanë e viktimës kanë menduar se kishte rënë për shkak të sëmundjes së parkinsonit, nga e cila vuante ish-deputeti.

Në pak sekonda kanë kuptuar se është një plagosje me armë zjarri. 64-vjeçari fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Pas një ore e gjysmë humbi jetën duke pësuar një atak kardiak gjatë operacionit, ndërsa mjekët e kishin të vështirë t’i nxirrnin plumbin që i kishte prekur organet jetësore. 64-vjeçari humbi sasi të madhe gjaku dhe në këtë mënyrë, pas 90 minutash nga plagosja ndërroi jetë.

Mendohet se autori i dyshuar që tashmë është arrestuar është larguar përmes një parkingu në afërsi të kishës ortodokse, duke dalë në këmbë në pedonalen “Kolë Idromeno” në qendër të qytetit dhe ka vijuar rrugën i qetë. Kamerat e sigurisë kanë pasur vështirësi për ta fiksuar për shkak të errësirës dhe motit të keq atë natë. Megjithatë, hetimet policore kanë arritur të çojnë te ndalimi i 20-vjeçarit dhe personit tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor i tij.

Pretendimet e dy të ndaluarve

Kristian Klemendit dhe Marjan Kolës, të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka, iu është komunikuar arrestimi. Mësohet se ata janë shprehur se me 29 nëntor kanë qenë në Kosovë dhe jo në Shqipëri.

Policia tashmë do të verifikojë nëse Kola dhe Kelmendi, e kanë kaluar kufirin për në Kosovë apo jo. Gjatë festave të nëntorit në kufi ka pasur edhe lehtësime.

Kujtojmë se policia ra në gjurmët e Kelmendit pas dëshmisë së djalit të Pashko Ujkës. Të riut i janë gjetur edhe mbetje baruti në duar dhe po analizohet nëse kemi të bëjmë me autorin e kësaj ngjarjeje apo jo.

Hetimet fillimisht u përqendruan te e shkuara politike si deputet dhe ish-kryetar komune, por deri tani nuk ka asnjë konkrete. Pashko Ujka kishte shumë pak ditë që ishte kthyer nga Italia ku ndodhej për kurim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *