Jeta e ‘VIP-ave’ brenda burgut, Cllevio : Aldo Bare s’del kurrë, Gaxhai më ‘salutonte’ me kokë

Kleviol Ahmeti a.k.a Cllevio Serbiano mund të jetë i burgosuri më i ndjekur në territorin e Shqipërisë. Kudo në çdo rrjet social, dëgjohet për të, ose dëgjohen këngët e tij. Brenda pak muajsh, në arrest shtëpie, bëri namin nga Lushnja. Zemrat ua fitoi të gjithëve me frazat e tij; besprem’; buzza dhe ça di ti për burgun? Në fakt, për burgun nuk dihet shumë, por Cllevio është siguruar që ta marrin vesh të gjithë. Në TikTok ka dalë duke treguar si histori përrallash gjithë çfarë ndodhte brenda katër mureve të mbushura me të burgosur.

Flet për personazhe që kanë hyrë në histori, sigurisht që për keq, e për mënyrën sesi e kalojnë kohën brenda qelive. Disa do të dalin…e disa të tjerë nuk do të jetojnë më asnjë ditë në liri, duke paguar me gjënë më të çmuar që kanë për krimet e kryera. I riu nga Lushnja përmend personazhe, por për shumë të tjerë ka edhe pseudonime, megjithatë kuptohet qartë se për kë e ka. Megjithatë jep një panoramë ndryshe nga brenda ‘kafazeve’. Në rrëfimin e tij, Ahmeti përmend “të fortë” si Gaxhai, Dritan Dajti, Mandelën e Elbasanit dhe vëllezërit e tij, Dritan Kateshin, e sigurisht Aldo Baren.

Për shumë prej tyre flet se kanë një jetë të thjeshtë normale, e se kohën e kalojnë duke luajtur futboll me njëri-tjetrin. Sigurisht ata që nuk kanë përplasje me njëri-tjetrin, por njëri është më i veçanti nga të gjithë. Aldo Bare! Edhe pse në burg, duket se ai nuk jeton asnjë ditë i qetë dhe ende ruhet edhe atëherë kur e ruajnë. Del vetëm, rri vetëm me shokët e tij të bandës së Lushnjes, e nuk përzihet me askënd. E shkuara nuk e lë të qetë që të paktën në burg të gjejë paqe.

GAXHAI

Dua kot për qejf se harrova…se kam kujtuar në fakt por kam patur edhe Gaxhain, por thjesht u salutonim me kokë. Edhe ai i fuqishëm aty. Gaxhai vajti 20 vjet brenda, është me të përjetshëm.

Kush është Gaxhai?

-Gazmend Braka, i njohur si Gaxhai bashkë me një grup shokësh krijoi një bandë e cila në historinë e krimit shqiptar, njihet si banda e “Gaxhait”. Kjo bandë pati një strukturë të organizuar ku mbronte edhe me para banorët e fshatit Cerkovinë, dhe në këtë zonë, banda e Gaxhait nuk kryente asnjëherë ngjarje kriminale. Ndërkohë që rivalë të përjetshëm kishin bandën e lagjes Çole në Vlorë, e cila kryesohej nga Myrteza Çaushi.

Mandela i Elbasanit

Mandela po ashtu. E di ça pritje më kanë bërë, se janë të tre si vëllezër atje. Sa vete ditën e parë vjen Mandela tek dritarja. I thashë unë o shok, të kam përmend për qejf meqë kam bërë shumë burg. Më shtrëngoi dorën, e sa herë që më shikonte më përqafonin.

-Eduart Peqini u vetëquajt Mandela dhe krijoi një bandë gjatë trazirave të vitit 1997, fillimisht prej tetë vetash dhe më pas prej 40 vetash. Shumë shpejt ai u bë romi më i “famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi “Mandelën” shqiptar.

Dritan Dajti

Tan Kateshi dhe ‘pedagogu i Durrësit’, Dritan Dajti

Ishte Tan Kateshi me pedagogun. Kateshi është gjujts elbasani. Ishte dhe pedagogu po luanim futboll. Edhe po bërtisnin se ishin larg. Thirri edhe Tani, se e di që i kam qejf ti kem shokë gangsterat. Edhe me Tan Kateshin u bëra mik nga Tani. Atje ishte baroni i Santa Kuarantës. Bossi. Me bossin bie dhe mik unë, edhe e takoja shpesh.

-Banda e Kateshit ishte një grup kriminal që veproi në qytetin e Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1997. Banda mori emrin e kryetarit të saj, Dritan Kateshit. Banda e filloi aktivitetin e vet në maj të 1997. Banda e Kateshit aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Të trimëruar me armët në krah dhe numrin e madh të pjesëtarëve të grupit shumë shpejt do të nisnin edhe me krimin e vrasjes.

– Dritan Dajti fillimisht u dënua me burg përjetë, por tashmë dënimi iu konvertua me 25 vite burg. Dajti ekzekutoi në plazhin ‘Iliria’ në vitin 2009 në Durrës, 4 policë. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Freskaj dhe Sajmir Duçkollari u vranë më 7 gusht të vitit 2009, kur Forcat Operacionale shkuan të arrestonin. Ai asokohe ishte shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo.

Aldo Bare

Ishte Aldo Bare po nuk e pashë asnjëherë. Nuk del ai. Është më uniku atje. Nuk del fare nuk e shikon dot njeri atë. Sepse ashtu do ai. Por kur të them nuk e shikon dot njeri, nuk e shikon dot njeri. Ça radikali. I ka gjithë çunat aty. Ai nuk del fare. Edhe ata të tjerët rrallë dalin. Por kur del ai mbyllet çdo gjë. Masa sigurie të rrepta. Kurse këta të tjerët janë aty. Ai ka rutinë të veçantë.

– Alfred Shkurti, ose siç njihet ndryshe Aldo Bare, është njeriu që iu futi tmerrin qytetarëve të Lushnjes në vitet 1997-1999. Ai u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në vitin 2009. Ai akuzohet për krijim të organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, vendosjes së eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vendosjen në 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, vendosje e eksplozivëve në mars të 2005 në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vrasjen në korrik 2005 të Baki Taullahut dhe për një numër vrasjesh të tjera.

Saimir Tahiri dhe Julian Sinanaj

Këtu është Saimir Tahiri, e di sa larg e kam? 44 hapa larg. Janë të dënuar ata, ne jemi në paraburgim. Dmth është 3 katësh burgu. unë rri vetëm, jam tek rezidenca 1. Tani ngaqë janë bërë shumë. Përballë jam Julian Sinanajn. Pendititon më të famshëm. Te burgu i Fierit mbërriti gjahtari i Vlorës. Pyesni Arkimedin, kush është Lolonja e Vlorës, dhe Saimir Tahiri ka frikë nga qorrat e Vlorës. U dëgjua mirë?

-Julian Sinanaj, i ashtuquajturi “ujku i vetmuar” për 15 vite “punë” në Athinë, Pire dhe Selanik ka kryer më shumë se 20 vrasje apo akte terroriste. Më pas kur ndjeu se jetën e kishte të rrezikuar nga ata që kishin qënë klientët e tij vendosi që të lëvizte sërish. U kthye në Shqipëri dhe gjeti “strehë” në Vlorë, ku edhe do të ringrinte “biznesin” e tij. Pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të, Julian Sinanaj, ia doli që t’ja hidhte ‘paq’ burgut përjetë. Ai vendosi që të rrëfente para hetuesve gjithë ‘aktivitetin e tij’ duke fituar statusin e të penduarit. Ndihmesa e dhënë për drejtësinë e shpëtoi nga mbyllja përjetë në qeli, por u dënua me 30 vjet burg. I prangosur nga Policia që prej vitit 2014, Sinanaj pret qetësisht në qelinë e tij momentin e lirimit. Ndërsa për vrasjet dhe jetën e tij si një killer i vetmuar është shkruar edhe një libër.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *