‘Jo çdo e keqe vjen për keq’/ Rama paralajmëron ‘furtunë’ kundër kompanive private që punojnë me 2 bordero dhe bëjnë evazion  

Pas skandalit me publikimin e databazës së pagave të mbi 600 mijë shqiptarëve, duket se qeveria më shumë se sa gjetjes së “fajtorit”, do t’i përvishet kompanive private që në kaq vite kanë mashtruar shtetin duke i paguar punonjësit me dy bordero dhe duke bërë miliarda lekë evazion fiskal.

Kryeministri Rama u ka lënë të gjitha kompanive private afat deri më 20 janar për deklarimet e reja të pagave reale dhe të borderove, pasi në të kundërt pas kësaj date do të nisë një “furtunë” e vërtetë hetimi Tatimor për evazionin fiskal.

“Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”, me këtë shprehje të përshtatur nga anglishtja, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një reformë të thellë sot lidhur me deklarimet e pagave, nisur nga skandali me publikimin e të pagave të shqiptarëve.

“Në këndvështrimin më afat mesëm kjo ngjarje mund të quhet edhe ‘jo cdo e keqe vjen vetëm për keq’. Natyrisht ekspozimi i të dhënave personale është i papranueshëm por nga ana tjetër, sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe askush s do mund të thotë se po sulmojmë askënd.

Duke nisur nga mediat, duke nisur nga pagat tuaja. Nuk është një situatë kjo e ngjashme me atë që ka qenë më parë, por është e papranueshme.

Askush s’do na thotë dot se po sulmojmë mediat, duke kërkuar prej atyre që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet.

Tatimet do nisin një letër për tatimpaguesit me deklarime shqetësuese, që rezultojnë në mospërputhje deri në flagrante, që të rregullohen me deklarimet e reja deri në 20 janar, në rast të kundër do ketë hetim për evazion, në këtë aspekt ne kemi përgatitur një plan, para se sa të ndodhte kjo. Ne s’mund të vazhdojmë të presim gradualitet, për njerëzit që punojnë dhe nuk marrin atë që iu takon duke shitur pa vullnetin e tyre të ardhmen.

Sepse te pagat minimale të deklaruara që shoqërohen me para cash, goditet e ardhmja e individit, sigurimet për pension janë shumë të ulëta, bllokohet mundësia për të rritur pensionet. Si mund të rrisë pensionet një vend, që deklaron paga minimale është e pamundur.

Procesi do ndërtohet me hetim pasuror të kompanive e biznesmenëve që deklarojnë paga minimale. Kjo do shoqërohet me një reformë të thellë, për të ndarë në një mënyrë teknike biznesin e vogël. Nga ana tjetër kjo do na ndihmojë të garantojmë punonjësit me pagë reale minimale.

Ndodh që iu jepen pagat minimale e më pas iu merren pas një pjesë e tyre, kjo është një abuzim prej skllavopronarësh. Kjo qeveri do jetë e tëra në krahun e punonjësve”,- u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më tej se kush fshihet pas skandalit të daljes së pagave, do të përgjigjet para ligjit.

“Me pagat ka ndodhur së fundmi një ngjarje shumë e shëmtuar dhe shqetësuese. Pjesa kriminale e ngjarjes është një pjesë që i takon prokurorisë. Ajo po heton në mënyrë intensive. Uroj dhe kam arsye të besoj se do të kemi rezultate. Kush e ka bërë do të përgjigjet para ligjit”,- tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *