Në krye të institucionit që do të prodhojë pasaporta biometrike dhe karta identiteti do të jetë Loina Prifti.
Duke filluar nga data 1 gusht kur Prifti do të marrë detyrën e saj, institucioni nuk do të njihet më me emrin “Aleat”, por “IdentiTek”. Në gusht është dhe afati i fundit i kontratës së firmës private “Aleat” e nisur në vitin 2008.
Një nga ndryshimet që kjo agjenci do të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat, por akoma nuk janë përcaktuar.
Mësohet se “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat zyra, pajisje dhe çdo punonjës që ka deri më tani kompania “Aleat”.
Loina Prifti prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani ku ka marrë edhe shtetësi gjermane. 35-vjeçarja aktualisht punon në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut dhe operon edhe në fushën e inteligjencës artificiale.