Jo vetëm kafe dhe birra, çunat nga Tirana në lokal servirnin dhe kokainë në pjatë… spiuni u bën ‘gropën’, policia u kap koleksionin e armëve  

Nuk është i vetmi rast ku në Tiranë lokale të caktuara përveç pijeve apo ushqimeve të servirin edhe shërbime “ekstra”, siç ka qenë edhe rasti i një lokali ku pronarët shërbenin për klientë “VIP” edhe kokainë me pjatë.

Por duket se ky lloj biznesi “origjinal” nuk u ka shkuar mbarë disa djemve nga kryeqyteti dhe shkak është bërë “spiuni”.

Për pasojë një 42-vjeçar i identifikuar si Lutfi Elezi, ka rënë në prangat e Policisë pasi kishte përshtatur lokalin e tij për të shitur lëndë narkotike të llojit kokainë.

Pas disa informacioneve të siguruara, Policia shkoi për kontrollon në biznesin e tij, ku edhe gjeti drogën dhe peshore elektrike.

Ndërsa gjithashtu gjatë kontrolleve në lokal dhe në banesë, 42-vjeçarit iu gjetën edhe dy thika, një armë zjarri dhe disa fishekë.

Informacioni i Policisë së Tiranës:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Bujtina”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike kokainë, vihet në pranga pronari i tij.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, fishekë luftarakë, një peshore elektronike dhe dy armë të ftohta (thika).

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij për përdorim droge dhe se mbante armë zjarri dhe armë të ftohta në banesë, specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor “Bujtina”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

L.E., 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij për shitje dhe për përdorim të lëndëve narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit dhe të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë dhe fishekë luftarakë, një sasi lënde narkotike kokainë, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe dy armë të ftohta (thika).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *