Sot me vendim të SPAK shteti i hodhi prangat kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tusha dhe disa bashkëpunëtorëve të tij. Kjo gjë ka gëzuar pa fund shumë qytetarë lushnjarë të mërzitur tashmë me qeverisjen e gjatë dhe asgjëbërëse të kryebashkiakut Tusha, që spikaste për skandalet e tij në qytet.
Por bashkë me Fatosin, duket se në lupën e SPAK-ut është edhe kompania “Euro Alb”, e cila pasi përfitonte tenderët ku firmoste Tusha, kënaqte këtë të fundit me “peshqeshe”, pa i harxhuar paratë publike për punime.
Por që të kënaqen edhe shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë, ashtu si sot lushnjarët, SPAK-u duhet të ketë parasysh se “Euro Alb” ishte e pranishme në shumë bashki me projektet e saj.
Kompania “Euro Alb”, nuk ka pasur Bashkinë e Lushnjës të vetmen ku ka shtrirë aktivitetin e saj. Bujar Murati, biznesmeni nga Bulqiza, duket se ka qenë një nga të preferuarit e Bashkive të tjera socialiste në vend, për t’u kontraktuar lidhur me projekte të ndryshme, kryesisht ato që kanë pasur lidhje me të ashtuquajturin projektin e “Rilindjes Urbane”.
Gjatë 8 viteve, më konkretisht nga viti 2015 deri në 2021, kompania e biznesmenit nga Bulqiza, ka pasur kontrata me 20 Bashki të tjera. Gjatë këtyre viteve, janë përfituar 13 miliardë lekë nga fondet e shtetit ose nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Por ende nuk dihet nëse janë marrë nën hetim nga SPAK, për të zbuluar nëse gara në Bashkitë e tjera ka qenë e ndershme, ndryshe nga tenderi i përfituar në Lushnjë.
Paraditen e sotme, kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tusha dhe 10 zyrtarë të Bashkisë dhe Ndërmarrjes së Pasurive Publike, u arrestuan pasi akuzohen se kanë kryer shkelje me tenderët.
Një tender me vlerë 24 milionë lekë për kanalet ujitëse të qytetit, është zbuluar deri tani në media si shkaku i arrestimit, ndërsa dyshohet se ka pasur edhe ndërhyrje të grupeve kriminale që kanë marrë tenderë pastrimi në këtë bashki.
Përveç zyrtarëve, në pranga ka përfunduar edhe Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti sh.p.k.” dhe Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb sh.p.k.”.
Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh. Kompania “Euro Alb” ka fituar në tetor 2020, tenderin për “Rehabilitimi i kanalit ujitës U3-27, V-1/1”, në fshatin Bishtqethëm dhe Bitaj, Nj.a. Kolonjë”, me vlerë 24 milionë lekë.
Së bashku me “Euro-Alb”, kanë qenë edhe dy kompani të tjera në garë, por duke qenë se ajo ka futur dokumente të falsifikuara për favorizim në këtë garë, ka arritur ta fitojë.
Në qytetin e Lushnjës qytetarët dhe ata pak njerëz të informuar thonë se, kompania “Euro Alb” që nga pas ka një deputet socialist të Veriut, lobonte pranë deputetëve të PS-së të zonës së Myzeqesë dhe këta të fundit pranë kryetarëve të bashkive.
Por tani i mbetet SPAK-ut që të vërtetojë lidhjet dhe emrat.
/Priza.al/