Aktori i njohur Johnny Depp është në lidhje me Joelle Rich, një avokate që e përfaqësoi atë në gjyqin e tij për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar kundër ‘The Sun’. Joelle është e martuar, por e ndarë në këtë kohë, mirëpo divorci i saj mund të mos jetë finalizuar ende, raporton ‘Pagesix’.
Në fillim të kësaj vere, aktori 59 vjeçar, ndezi thashethemet për një romancë të mundshme me një tjetër avokate, Camille Vasquez, e cila e përfaqësoi atë në gjyqin e tij për shpifje në SHBA kundër ish-bashkëshortes së tij Amber Heard. Avokatja Vasques i quajti këto akuza “seksiste” dhe “joetike”.
“Unë kujdesem shumë për klientët e mi dhe padyshim që jemi afruar. Por kur them ne, kam parasysh të gjithë ekipin, dhe sigurisht që përfshin Johnny-n”,- u shpreh ajo për ‘People’ në muajin qershor.
Ajo vuri në dukje se ylli i “Pirates of The Caribbean” kishte qenë miku dhe klienti i saj për katër vite e gjysëm.
“Është gjithashtu një akuzë joetike që po bëhet. Është seksiste”,- shtoi ajo. “Është për të ardhur keq dhe është zhgënjyese, por në të njëjtën kohë është edhe një gjë që pritej. Nuk mund të them se isha aq shumë e befasuar”.