Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, pritet ta pranojë të mërkurën fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh, në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë, e cila do ta lirojë atë nga burgu dhe do ta lejojë të kthehet në shtëpinë e vet në Australi, duke i dhënë fund një sage ligjore 14-vjeçare.
Assange, 52 vjeç, u pajtua për ta pranuar fajësinë për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane, sipas dosjes së Gjykatës amerikane të qarkut në ishujt veriorë Mariana.
Të mërkurën, ai pritet të dënohet me 62 muaj burgim, periudhë kohore që tashmë e ka kryer.
Prokurorët thanë se seanca do të mbahet në ishullin amerikan Saipan të Oqeanit Paqësor pasi Assange nuk pranoi të udhëtonte në SHBA dhe pasi ishulli ndodhet afër Australisë.
Assange u largua nga burgu Belmarsh në Britani të Madhe të hënën mbrëma, tha WikiLeaks në një postim në rrjetin social “X”.
“Ky është rezultat i një fushate globale që u përfshiu aktivistë për të drejtat e shtypit, ligjvënës dhe liderë nga i gjithë spektri politik e deri të Kombet e Bashkuara”, tha WikiLeaks.
“Julian është i lirë!!!” shkroi gruaja e tij, Stella Assange, në “X”.
“Fjalët nuk mund ta shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj juve, po juve, të cilët u mobilizuat për vite e vite, për ta bërë këtë të mundur”, shtoi ajo.
“Kryeministri Albanese ka qenë i qartë: Rasti i Assange është zvarritur tepër gjatë dhe nuk fitohet asgjë duke e mbajtur atë në burg”, tha një zëdhënës i qeverisë australiane.