Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi është shprehur se kryeministri Edi Rama e ka kaluar “vijën e kuqe” dhe duhet të japë dorëheqjen.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, Shehi tha se afera “McGonigal” është shumë më e thellë se kaq. Më tej ai shtoi se Rama ka menduar se mund të blejë edhe Amerikën, por sipas tij këtu gaboi dhe sot është në një situatë të vështirë.
Shehi deklaroi se Rama jo vetëm që korruptoi një zyrtar të lartë të SHBA-ve, por edhe e përdori atë kundër opozitës, gjysmës tjetër të shqiptarëve.
“Unë them se ky njeri ka kaluar vijën e kuqe. Nëse ky njeri ka dhunuar, ka vjedhur Amerikën, kjo është çështje tjetër që duhet të merret prokuroria. Ndërsa ne gjykojmë mbi faktet që kanë ndodhur sepse nuk jemi gjyqtarë. Ky duhet të jepte dorëheqjen derisa të sqarohej çështja. Ky mendon se institucioni është vetë ky. Nuk ka institucion Edi Rama privat. Nuk ka të drejtë ky të takojë personazhe privatisht. Ky e ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. Ka korruptuar një polic të lartë, e ka përdorur kundër opozitës, kundër gjysmës tjetër të shqiptarëve. E ka korruptuar me disa shqiptarë të tjerë të këqinj dhe me paratë e shqiptarëve. Ky zyrën e ka shtëpinë. Ky mendon se ky është shteti shqiptar. Ka menduar se s’kanë për ta gjetur kurrë. Ironia e kësaj pune është se e bën një njeri që na turret këtu dhe i thotë opozitës që ju shani Shqipërinë nën anglisht. Jo ne të shajmë ty në anglisht, sepse ti nuk je Shqipëria.
Ky paska të drejtë të vjedhë në anglisht, të spiunojë në anglisht, ndërsa të tjerët spaskan të drejtë as t’ja vënë në dukje. Prandaj ky duhet të ikë. PS ka vota sa të duash që të krijojë një qeveri të re, mund të bëhet një qeveri e re teknike, ka mënyra sa të duash. Kam frikë se kjo çështje është shumë më e thellë. Ka menduar se mund të blejë edhe Amerikën. Do i thoja kolegëve të maxhorancës që të reflektojnë për këtë punë. Sepse nesër do ju vijë turp. Duhet t’i themi një faleminderit të madh SHBA-ve, sepse vetëm një drejtësi si e tyre lëviz ujërat e Ballkanit”, deklaroi Shehi.