Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrhimaj foli përpara mediave. Ajo u pyet edhe lidhur me zhvlerësimin e euros, për të cilën u shpreh se kanë ndikuar drejtpërdrejtë hyrjet e turistëve dhe remitancat.
Sipas ministres, kompanitë private që kanë pësuar humbje janë ato që i kanë nënshkruar kontratat përpara se euro të binte në nivelet që ndodhet sot.
Ibrahimaj: Shqipëria prej shumë vitesh ka vendosur që të aplikojë një kurs këmbimi jo të fiksuar por të lirë. Kursi i këmbimit të lirë, në krizat e njëpasnjëshme që na është dashur të kalojmë, ka qenë një stabilizues i funksionimit dhe të gjitha goditjeve që kemi pasur. Ka disa kompani që fitojnë dhe disa që humbin dhe kjo është pjesë e riskut të të bërit biznes. Kompanitë që kanë pasur humbje janë ato që kontratat i kanë lidhur shumë kohë më parë, para se të ndodhte zhvlerësimi i euros. Ne analizojmë me kujdes çdo lëvizje. Kursi i këmbimit nuk afekton vetëm kompanitë eksportuese. Normat e interesit të kredive në euro kanë bërë që euroja të bëhet atraktive. Analiza bëhet në të gjithë fushat.
A është paraja informale arsyeja e zhvlerësimit? A lidhet me paratë që hidhen në fushatën elektorale?
Ibrahimaj: Nuk ka një element shtesë. Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet që kemi pasur këtë vit. Kemi pasur një fluks turistësh shumë të lartë, më të lartë edhe se në vitin 2019. Nga ana tjetër ka qenë një vit ku investimet e huaja direkte janë rritur në neto dhe kjo ka bërë që leku të forcohet. Pra kanë qenë të ndikuara nga remitancat dhe hyrjet e shumta të turistëve.